Sa i rrezikshëm është Virusi i Nilit?

Sa i rrezikshëm është Virusi i Nilit?

Nga e mërkura, Kosova ka zyrtarisht një pacient të infektuar me Virusin e Nilit Perëndimor.

Mirëpo, rrezikshmëria e këtij virusi, vlerësohet të jetë në përqindje të paktë.

I infektuari, kishte qëndruar në Shqipëri, atje ku aktualisht ka raste të këtij virusi, andaj dyshohet që atje i ka marrë “Ethet e Nilit”.

“Rreth 1% e të sëmurëve, që sëmundja e Nilit Perëndimor mund të shkaktojë infeksione apo ndërlikime në sistemin nervor qendror dhe organe të tjera, me shenja të Meningjitit apo Encefalitit, dhe me një rrezik për shëndetin dhe jetën e pacienti”, thotë Hamdi Ramadani-infektolog.

Pjesa më e madhe e personave me këtë virus nuk shfaqin ndonjë simptomë, kurse një pjesë tjetër e personave të infektuar me virus, kanë shenjat e njëjta sikurse të një gripi.

“Diku 80% e rasteve të infeksioneve nuk manifestojnë simptomatologji apo shenja klinike të sëmundjes së Etheve të Nilit, kurse 20% e rasteve manifestojnë një simptomatologji me shenja klinike të sëmundjes, e cila është shumë e përafërt me gripin që dominante është temperatura, që mund të shkojë deri në 38-39 gradë celcius, dhimbje të kokës, të qafës, të muskujve, të nyjeve, pastaj problem me sy”, tregon Ramadani.

Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet kryesisht përmes mushkonjave dhe jo nga njerëzit mes vete,  për çka kërkohet kujdes në zonat potenciale ku mund të ketë insekte të tilla dhe dezinfektime shtesë.

“Institucionet publike të përgatiten për dezinfektim, për dy arsye. Së pari ne edhe ashtu sivjet kemi pasur shumë ankesa për numrin e madh të mushkonjave në përgjithësi dhe për pickimin e tyre. Dhe e dyta, paraqitja e virusit e jep edhe një shkas tjetër që me një veprim mund t’i eleminojmë ose pakësojmë numrin e mushkonjave në teren”, shprehet ambientalisti Sami Makolli.

Vaksinat për parandalimin e infektimit të Virusit të Nilit Perëndimor tek njerëzit, sipas IKSHPK-së nuk janë në dispozicion askund në botë.

 

Shpërndaje në: