Sa gjykata do dënojnë Ramushin – dhe kosovarët?
UNMIK dhe EULEX. Gjykatat lokale të Kosovës. Tribunali për Krime Lufte dhe tash Tribunali Special për Krimet e Luftës në Kosovë.
Të gjitha këto nuk mjaftojnë të kemi një ndërgjegje të qetë me drejtësinë?
Dhe, një polic i thjeshtë në aeroport të vogël europian e ka të drejtën – përtej Gjykatës Speciale për Krime Lufte – të burgosë politikanë kosovarë me pasaportë diplomatike.
Me kërkesë të Serbisë.
* * *
Pas akuzave të politikanit zviceran Dick Marty, përndryshe mik i ngushtë i Carla del Pontes, qarqe të ndryshme ndërkombëtare kërkuan ngritjen e Tribunalit për Kosovën. Jo për Serbinë si agresore, por për Kosovën që ishte viktima.
Pse?
Jurdikisht, moralisht dhe historikisht, pamë se ideja nuk kishte asnjë bazë konkrete, përkundrazi është kontraproduktive dhe më tepër se tendencioze. Sidomos edhe për shkak të faktit se shumica e kosovarët janë pro bashkëpunimit me organet ndërkombëtare në zbardhjen e anomalive që kanë mundur të kenë ndodhur gjatë luftës mbrojtëse.
Këtë gatishmëri kosovarët e kanë demonstruar që nga fillimet, madje duke shkuar pa asnjë rezistencë në Hagë.
Pikërisht për shkak të paaftësisë, mosefikasitetit dhe dështimit të këtij institucioni ndërkombëtar të ligjësisë, tash haraçin, edhe historik që do i nënshkruhet të gjitha gjeneratave që vijnë, duhet ta paguajë Kosova. Dhe, atë, duke u vulosur nga “vendi viktimë i gjenocidit” në “vend të krimeve eventuale”. Kjo është padrejtësia më e madhe që aleatët e saj ia bënë Kosovës, vendit që e çliruan bashkë me ata që sot duan t’i dënojnë.
Pse këto dilema?
Pse mendojmë se liria jonë të jetë mozaik precedentësh që minojnë çdo praktikë historike, që përdhosin logjikën e çdo ligjësie, që vënë në pikëpyetje moralin e çdo të drejte të qenies humane për t’u mbrojtur nga e keqja, agresioni?
Duke e parë historinë e problemeve, dukej e pakuptimte ideja për një Tribunal Special për Kosovën.
Pse kjo ide për Tribunal nga cilido aspekt del absurde?
Në “Deklaratën mbi krimet gjermane në Europën e pushtuar”, të 30 tetorit 1943, aleatët anti-nazistë vendosën që edhe pas luftës t’i ndjekin krimbërësit masivë. Më 8 gusht të vitit 1945 u nënshkrua marrëveshja ndërmjet vendeve kryesore të botës. Shtylla qendrore e kësaj marrëveshjeje ishte: “Gjermanët që kanë kryer krime të rënda në vende të tjera do t’iu dorëzohen organeve të drejtësisë të po atyre vendeve.
Ata që kanë qenë urdhërues krimesh të rënda, mirëpo nuk mund t’iu përcaktohet përgjegjësia konkrete në vendin e ngjarjes, do të dënohen – me një vendim të mëvonshëm – në vendin e tyre, pra në Gjermani”.
Si konsekuencë e kësaj marrëveshjeje u hap i famshmi proces i Nürnbergut, ai i Eichmann-it e të ngjashëm, që dënuan pjesën më të madhe të planifikuesve dhe ekzekutorëve të luftës dhe gjenocidit ndaj hebrenjve.
Duke u bazuar në këtë përvojë dhe mbi këto praktika e marrëveshje historike u ngrit edhe Tribunali për Ruandën, i cili për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe qeverive që refuzonin bashkëpunimin detyroi ndërkombëtarët që gjykimi mos ta kishte parasysh vendin ku u kryen krimet, por jashtë.
E njëjta situatë u paraqit edhe në ish Jugosllavi, ku shumica dërrmuese e popullit dhe vendit prej nga vinin autorët e gjenocidit ndaj kosovarëve, boshnjakëve, kroatëve i konsideronin heronj e jo agresorë.
Në dokumentet themeluese të Tribunalit të Hagës – ky edhe ishte arsyetimi se pse gjykimet do të mbaheshin jo në Beograd, Zagreb, Sarajevë apo Prishtinë – ku edhe ishin kryer krimet masive, por në Hagë.
Kjo praktikë historike ndryshoi me “Carla-del-Ponten” e natyrës së hetuesisë (natyrisht në marrëveshje me Zoran Gjingjiqin, si kusht për ta dorëzuar Millosheviqin dhe të tjerët), e cila që nga aty e tutje nuk do t’i ndiqte më vetëm strategët, nxitësit dhe ekzekutorët e gjenocideve, por edhe viktimat e tyre.
Jo vetëm Sllobodan Millosheviqi dhe garda e tij që nisi luftën dhe ushtroi gjenocid në rajonet e ish-Jugosllavisë u mor në Hagë, por edhe komandantë ushtrish lokale, të dala nga shoqëritë që luftonin për mbrojtjen e popullatës dhe rezistencë ndaj agresorit. Atje përfunduan dhe u liruan disa nga komandantët e UÇK-së. Ndërkohë, vendet përkatëse – si agresori Serbia, ashtu edhe viktima Kosova, etj. – u kushtëzuan që të hetojnë dosje në rast se eventualisht paraqitet nevoja.
Nga pozita e agresores, Serbia padyshim se duhej të vepronte dhe të jepte rezultate në këtë drejtim. Kosovarëve nuk iu dha kjo mundësi direkte, për shkak të prezencës së EULEX-it, mision i cili kishte dhe ka për detyrë zbardhjen e delikteve të natyrës kriminale.
Megjithatë, para se të zbresim tek EULEX-i dhe Tribunali, është me rëndësi të analizojmë atë që ne e quajmë “thyerje të filozofisë së deritanishme të ligjësisë perëndimore”, apo “kriminalizim të viktimës që ka pasur fatin të shpëtojë gjallë”.
Më i çuditshmi në këtë proces për Tribunalin Special na duket qëndrimi amerikan. Ata që vijnë apo jetojnë në ato më shumë se 30 shtete të SHBA-ve që në ligjësitë e tyre kanë të ashtuquajturin “Stand-Your-Ground-Laws” (mos luaj nga vendi), i cili i jep të drejtën amerikanit që në mbrojtje të pragut dhe familjes nga agresioni i padrejtë dhe i jashtëm mos të ngurojë as të vrasë.
Parimi është i njëjtë edhe kur ai është më masiv: asnjëherë para Luftës në ish-Jugosllavi, dhe para personalizimit të filozofisë juridike nga Carla del Ponte nuk ka rastisur që para gjyqit të vihen edhe de-golianët e rezistencës franceze, as madje edhe egërsirat (sot historikisht të dokumentuara) e armatës së kuqe ruse që dhunuan mijëra gra polake, çeke, hungareze e gjermane, e as ndonjë milic që mbronte me armë Tutsit e Ruandës nga Hututë.
Tjetra që komplikon edhe më shumë involvimin e atyre që duan Tribunale edhe për mbrojtësit është i ashtuquajturi “Parim i vrasjes në mbrojtje të viktimës”. Edhe perëndimorët bombarduan e vranë në mbrojtje e sipër: ka gabuar ndonjë bombë cakun dhe ka ekzekutuar edhe civilë. Edhe ndonjë komandant i ushtrisë mbrojtëse edhe ndonjë civil shqiptar, për shkak të tërbimit, pasi që ka parë gjithë familjen pa koka e këmbë e krahë lamës së tij, ka bërë ndonjë vrasje.
Nëse ka raste të tilla, që edhe janë të izoluara, ligjësia ka të drejtë t’i akuzojë, pandehë dhe dënojë personat e tillë.
Mirëpo kjo nuk e ka justifikuar ngritjen e një tribunali mbi një vend që ka luftuar për liri, sepse në këtë mënyrë fabrikon parimin se çdo vendi mund t’i bëhet tribunal.
Pra, absurdizon dhe banalizon juridikisht dhe e moralisht misionin e Tribunaleve për Krimet e Luftës.
Megjithatë, Qeveria dhe politika kosovare edhe pse ka pësuar dështim historik sepse ka pranuar modelin e propozuar dhe nuk kërkon që t’i ndajë kompetencat me Task Force të krijuar në zbardhjen e krimeve të supozuara, lejon që prapë t’i bëhen edhe disa gjykime tjera.
Rasti i Ramush Haradinajt është shkelje brutale e gjithë asaj që është ndërtuar institucionalisht bashkë me ndërkombëtarët.
Sa gjykata duhet t’i pranojnë shqiptarët që Europa të bindet se ata janë bashkëpunues me të dhe botën demokratike.
UNMIK dhe EULEX. Gjykatat lokale të Kosovës. Tribunali për Krime Lufte dhe tash Tribunali Special për Krimet e Luftës në Kosovë.
Të gjitha këto nuk mjaftojnë të kemi një ndërgjegje të qetë me drejtësinë?
Dhe, një polic i thjeshtë në aeroport të vogël europian e ka të drejtën – përtej Gjykatës Speciale për Krime Lufte – të burgosë politikanë kosovarë me pasaportë diplomatike.
Me kërkesë të Serbisë.
Për këtë sanksionohet Kosova.
Ne, qytetarët e saj, që kemi luftuar për liri dhe kundër gjenocidit.
EULEX është Evropa, UNMIK-u ka qenë bota brenda Kosovës.
U krijua edhe Gjykata Speciale për krime të luftës.
Atëherë, pse burgosen këta njerëz nëpër aeroporte pa urdhër të kësaj Gjykate?
Selia e këtij komisioni të përzier nuk është në Kosovë. Dhe prapë nuk i mjafton as Serbisë, as Evropës, dhe as shteteve që akuzojnë dhe burgosin kosovarët nëpër botë?
Nëse nazistët janë dënuar në vendin e tyre, hakmarrësit kosovarë, qofshin komandantë ose ata që vranë duke bërë krime ndaj fqinjëve, duhet të dënohen në Kosovë.
Nuk mund të ketë tribunal ndërkombëtar dhe gjyqtarë serbë në këtë proces.
Një popull që u mbrojt dhe luftoi për liri nuk mund ta pranojë një prokuror serb.
Këtë e kanë përkrahur institucionet e Kosovës duke e krijuar Tribunalin kundër Krimeve të Luftës.
Çfarë mund të bëjmë më shumë?
Serbia po luan me zjarr.
Po luan me serbët e Kosovës dhe po vë qëllimisht qytetarët e saj në rrezik për të kultivuar dhunë.
Kjo indiferencë është e pafalshme për të gjitha ato institucione ndërkombëtare të cilat kanë pushtet të ndërhyjnë konstruktivisht, por nuk po e bëjnë një gjë të tillë.