Rutte për mandatin e FSK-së, ish-komandanti: Deklarata e tij është politike

Shefi i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë një konference për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se NATO ka për detyrë të sigurojë që Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) të zhvillohet si një forcë efektive për çështje humanitare.
“Mandati është që të sigurohemi se FSK-ja të ketë ato për çka ka nevojë për të qenë efektive në rolin e saj humanitar në Kosovë. Ky është saktësisht mandati që NATO ka, për të ndihmuar FSK-në të zhvillohet mirë e më mirë që të jetë forcë humanitare, kur të ngriten çështje humanitare,” ka thënë Rutte.
Kjo deklaratë është komentuar nga gjenerali në pension i FSK-së, Kadri Kastrati, i cili e ka cilësuar atë si një qëndrim politik, duke thënë se është bërë për të ruajtur raportet me Serbinë.
“Deklarata e tij është politike, ndoshta për të mos i hidhëruar fqinjët tanë veriorë. Ai e di shumë mirë, edhe NATO e di, sepse është prezente në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në FSK. Që nga viti 2018, kur janë miratuar tri ligjet për Ministrinë e Mbrojtjes, për shërbimin në FSK dhe për FSK-në, kjo forcë ka marrë mision ushtarak”.
“Detyrat e saj kryesore janë mbrojtja e integritetit dhe sovranitetit, pjesëmarrja në operacione paqeruajtëse, ruajtja e jetës dhe pronës së qytetarëve të Kosovës dhe zbatimi i urdhrave nga institucionet qendrore dhe lokale. Ky është misioni i FSK-së, njësoj si te të gjitha forcat e armatosura të vendeve anëtare të NATO-s. Por kjo deklaratë duket se është dhënë për të ruajtur raportet me Serbinë,” ka deklaruar Kastrati në Dukagjini, transmeton Periskopi.