Rusia dhe Kina shohin vetëm një armik: SHBA
Më 8 dhe 9 korrik, në samitin e NATO-s në Varshavë, udhëheqësit e botës perëndimore u takuan për të “përforcuar mbrojtjen tonë kolektive … në një kohë përcaktuese për sigurinë e kombeve dhe popullsive tona”. Vetëm tre ditë më vonë në Hagë, një gjykatë ndërkombëtar mbi ligjin e detit dha një vendim të shumëpritur, që përcaktonte se Kina nuk kishte bazë për kërkesën e saj të pronësisë mbi të gjithë Detin e Kinës Jugore.
Këto dy ngjarje duken si pa lidhje mes tyre, por që të dyja do të ketë efektin që do të shtyjnë Rusinë dhe Kinën më afër njëra-tjetrës, për t’i qëndruar atij që e perceptojnë si armik të tyre të përbashkët – Shtetet e Bashkuara.
Samiti i NATO-s nuk la asnjë dyshim në lidhje me kërcënimin kryesor ndaj anëtarëve të saj – “Veprimet agresive të Rusisë”. Përmendja e Rusisë në Komunikatën e Samitit të Varshavës lexohet si një aktakuzë penale. Moska është akuzuar, ndër të tjera për: Aneksimin e paligjshëm dhe në vazhdim të Krimesë … shkeljen e kufijve sovrane me forcë; destabilizimin e qëllimshëm të Ukrainës lindore … aktivitetet provokative ushtarake pranë kufijve të NATO-s … retorikën e papërgjegjshme dhe agresive bërthamore, koncepti ushtarak dhe sjelljen ku ai mbështetet; dhe shkeljet e përsëritura të hapësirës ajrore të Aleatëve të NATO-s.
Rreziku terrorist nga Lindja e Mesme, i cila është përmendur edhe në komunikatë, vjen i dyti pas këtyre kërcënimeve. Në mënyrë që të parandalojnë Moskën, aleatët ranë dakord për të vendosur grupe luftimi shumëkombëshe me përmasa batalionesh, në të katër vendet e NATO-s që janë në kufi me Rusinë – Polonia, Lituania, Letonia dhe Estonia.
Reagimi i Rusisë parashikohej që do të ishte me zemërim. Moska e sheh stacionimin e trupave në Poloni dhe shtetet baltike, si një shkelje të rëdë të Ligjit Themeltar të vitit 1997, mbi Marrëdhëniet e Ndërsjella midis NATO-s dhe Rusisë, në të cilin të dyja palët ranë dakord për të shmangur stacionimin e trupave në afërsi të kufijve të njëri-tjetrit. Rusia është gjithashtu e shqetësuar seriozisht, në lidhje me përpjekjet e vazhdueshme të NATO-s për të ndërtuar një sistem të mbrojtjes nga raketat balistike në Evropë. Moska nuk “i ha” garancitë e aleancës se bateritë e mbrojtjes raketore në Rumani dhe Poloni janë drejtuar vetëm kundër kërcënimeve potenciale që burojnë nga Lindja e Mesme apo Koreja e Veriut.
Kremlini u fye gjithashtu edhe prej ftesës së NATO-s drejtuar vendit të vogël ballkanik të Malit të Zi, i cili ka lidhje të ngushta historike me Rusinë, për t’u bashkuar me aleancën si anëtari i 29-të. Moska frikësohet se radhën mund t’a kenë ish-republikat sovjetike të Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë.
Moska denoncoi samitin e Varshavës si një përpjekje “për të demonizuar Rusinë” me qëllim “për të larguar vëmendjen e publikut nga roli destruktiv i bllokut dhe disa aleatëve të tij, në provokimin e krizave dhe nxitjen e tensioneve në mbarë botën”. Edhe pse NATO numëron 28 anëtarë dhe të gjitha vendimet e saj janë të bazuara në konsensus kolektiv, në Kremlin është absolutisht e qartë se organizatori prapa këtyre lëvizjeve anti-ruse është SHBA, e mbështetur nga disa kombe rusofobe evropiane, si Britania, Polonia, tre shtetet baltike dhe Rumania.
Ashtu si Rusia dhe NATO po përballen në Evropën Lindore, ka një tjetër dramë që po shpaloset në bregun e kundërt të Euroazisë – në dhe rreth Detit të Kinës Jugore. Një gjykatë ndërkombëtare vendosi se pretendimet e Kinës për sovranitetin mbi këtë det nuk kanë asnjë bazë ligjore. Pekini e quajti procesin dhe rezultatin e tij “si një farsë politike” dhe deklaroi se “është i pavlefshëm”. Ashtu si Rusia, Kina e sheh Uashingtonin si fajtorin kryesor që nxit trazira në Detin e Kinës Jugore, duke shtyrë Filipinet dhe vende të tjera, që t’i kundërvihen Kinës. Nga të pesë pjesëmarrësit e panelit të arbitrazhit, katër gjyqtarë përfaqësojnë aleatët e Amerikës në NATO (Franca, Polonia, Gjermania dhe Holanda). Pekini nuk ka asnjë dyshim se vendimi i gjykatës është pjesë e planit të Uashingtonit për t’i bërë presion, izoluar dhe frenuar Kinën.
Në mënyrë që të përballojë më mirë një Kinë në rritje, mund të jenë duke u hedhur ide edhe për një NATO të stilit aziatik. SHBA ka nxitur fuqizimin e aleancave të saj dypalëshe dhe partneriteteve në Azi-Paqësor, duke zgjeruar shtrirjen e tyre në një rrjet strategjik me SHBA qendër, teksa Japonisë, Australisë dhe Indisë u është caktuar roli i bastioneve kryesore rajonale kundër Kinës.
Duke pasur parasysh rrethanat gjeopolitike, presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping kishin shumë për të diskutuar në takimin e tyre të fundit në Pekin, më 26 qershor. Edhe pse i lënë në hije në mediat botërore për shkak të “Brexit,” takimi Putin-Xi spikati për shkak të niveli jashtëzakonisht të lartë të retorikës antiamerikane, të maskuar jo fort. Në komunikatën e tyre të përbashkët, Rusia dhe Kina rikonfirmuan “mbështetjen e ndërsjellë në çështjet kyçe të sovranitetit, sigurisë dhe zhvillimit.” Ata akuzuan Perëndimin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, se po minon stabilitetin strategjik duke kërkuar ” superioritetin ushtarak”, dhe shprehën kundërshtimin e tyre të fortë ndaj shtimit të raketave mbrojtëse në Evropë dhe Azinë Verilindore, nga ana e SHBA. Putin dhe Xi gjithashtu miratuan një deklaratë të veçantë për bashkëpunimin në hapësirën kibernetike, duke theksuar nevojën për të “respektuar sovranitetin e shtetit në fushën e informacionit”, si dhe për të ngritur një mekanizëm dypalësh për të koordinuar politikat kibernetike.
Duke lënë mënjanë retorikën, Rusia dhe Kina kanë vazhduar të çojnë përpara bashkëpunimin praktik në një varg çështjesh të ndjeshme, politike dhe të sigurisë. Në maj, ushtritë ruse dhe kineze mbajtën stërvitjet e para të përbashkëta të njësive kundërajrore dhe anti-raketore. Në qershor, Moska dhe Pekini arritën një marrëveshje për prodhimin e përbashkët të motorëve të raketave me karburant të lëngët, ku Rusia ka shumë ekspertizë, në këmbim të furnizimin të mjeteve kineze të aviacionit, për industrinë e hapësirës ajrore ruse.
Muajin e kaluar, luftanije kineze dhe ruse lundruan njëkohësisht në ujërat pranë ishujve Senkaku në Detin e Kinës Lindore, pronësia e të cilave është një çështje mosmarrëveshjesh midis Tokios dhe Pekinit, duke detyruar qeverinë japoneze të pyesë nëse ky ishte një veprim i koordinuar për të ushtruar presion mbi Japoninë. Kina dhe Rusia mund të jenë duke konsideruar gjithashtu stërvitje të përbashkëta detare, në Detin shumë të kontestuar të Kinës Jugore. Nëse luftanijet ruse i bashkohen flotës kineze atje, kjo do të nënkuptojë një ndryshim të madh në politikën e Moskës, e cila deri më tani është përpjekur të ruajë neutralitetin në grindjet për sovranitetin, mes Kinës dhe shteteve pretenduese të Azisë Juglindore.
Dy vjet më parë, kam shkruar se politika amerikane e frenimit të dyfishtë kundër të dyjave, Rusisë dhe Kinës në mënyrë të pashmangshme i ka shtyrë ato, që të formojnë një pothuaj-aleancë anti-perëndimore, ndoshta edhe rikrijimin disa kushteve të cilat, një shekull më parë, çuan në Luftën e Parë Botërore. Për fat të keq, gjërat kanë marrë vetëm për keq, që nga ajo kohë. Lufta e Tretë Botërore është ende një rrezik i largët, por përplasjet alarmante detare dhe ajrore në Balltik, Mesdhe dhe Detin e Kinës Jugore po ndodhin gjithnjë e më shpesh.
Kundërshtarët i mbajnë hapur linjat e komunikimit. Putin dhe Obama flasin rregullisht në telefon, Këshilli NATO-Rusi zhvillon takime, dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry kohët e fundit vizitoi Moskën. Xi dhe Obama kanë pasur disa takime personale, dhe zyrtarët e lartë kinezë dhe amerikanë janë të angazhuar në dialogje strategjike për sigurisë.
Problemi është se këto dialogje nuk po na shpien askund, me palët e ndryshme që flasin kryesisht prapa njëra-tjetrës. SHBA-së dhe aleatët e saj, si edhe Rusia dhe Kina, padyshim kanë nevojë për një ndryshim në mënyrën se si e perceptojnë dhe i qasen njëra-tjetrës. Por mbetet një pyetje e hapur se çfarë do të duhej për një ndryshim të tillë./Huffington Post – Bota.al