Rusia arreston vrasësin e shefit të armëve bërthamore: Ukraina i ofroi 100 mijë $

Rusia arreston vrasësin e shefit të armëve bërthamore: Ukraina i ofroi 100 mijë $

Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse (FSB) njoftoi këtë të mërkurë arrestimin e një 29-vjeçari nga Uzbekistani, si të dyshuar për vrasjen e gjeneralit të lartë rus Igor Kirillov dhe ndihmësit të tij në Moskë. Gjenerali Kirillov, kreu i Forcave të Mbrojtjes Bërthamore, Kimike dhe Biologjike, u vra të martën në mëngjes kur një pajisje shpërthyese e fshehur në një skuter elektrik shpërtheu pranë hyrjes së apartamentit të tij.

Sipas FSB-së, i dyshuari Akhmad Kurbanov, kishte vepruar në bashkëpunim me inteligjencën ukrainase dhe pranoi gjatë marrjes në pyetje se i ishte ofruar një shpërblim prej 100,000 dollarësh dhe leje për të udhëtuar në Bashkimin Evropian në këmbim të atentatit. Shërbimi i sigurisë rus tha se i arrestuari kishte marrë udhëzime për të montuar pajisjen shpërthyese dhe për të monitoruar rezidencën e Kirillovit me një kamer të fshehur, që transmetonte drejtpërdrejt për bashkëpunëtorët në qytetin Dnipro të Ukrainës.

Nga ana tjetër, një burim nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës i tha BBC-së se vrasja e Kirillovit ishte një operacion i justifikuar, duke e cilësuar atë si një “objektiv legjitim” për shkak të përfshirjes së tij në krime lufte. SBU ka akuzuar Rusinë për përdorimin e armëve kimike mbi 4,800 herë nën drejtimin e Kirillovit, akuza të cilat Moska i mohon.

Autoritetet ruse kanë deklaruar se do të kërkojnë ndëshkimin e përgjegjësve dhe kanë paralajmëruar ngritjen e çështjes në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të premten.

Kirillov, 54 vjeç, ishte një nga figurat më të larta ushtarake të vrarë brenda territorit rus që nga nisja e luftës në Ukrainë. Ai ishte sanksionuar më parë nga Mbretëria e Bashkuar për rolin e tij të dyshuar në përdorimin e armëve kimike, ndërsa Rusia pretendon se ka shkatërruar arsenalin e saj kimik që prej vitit 2017./euronews.al

Shpërndaje në: