Rumunët kanë frikë nga tensionet e fundit në Kosovë, po mendojnë t’ua ndalojnë tifozëve të tyre udhëtimin në Prishtinë
Federata Rumune e Futbollit është duke e konsideruar mundësinë që t’ua ndalojë udhëtimin në Kosovë tifozëve rumunë për ndeshjen mes “Dardanëve” dhe Kombëtares së tyre, e cila do të luhet në Prishtinë më 16 qershor, e vlefshme për kualifikimet e Euro 2024.
Rumunët kanë frikë nga tensionet e fundit në Veri të Kosovës, prandaj kryetari i Federatës Rumune, Razvan Burleanu, deklaroi në konferencë për shtyp se është i njoftuar dhe i vetëdijshëm për situatën në Veri të Kosovës dhe se për këtë arsye ekziston mundësia që Kombëtarja e Rumanisë të vijë në Kosovë pa praninë e tifozëve të saj.
“Nga momenti që u shfaqën këto incidente në kufirin mes Serbisë dhe Kosovës, është formuar një grup punues në Federatën tonë. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me zyrën rumune në Prishtinë, me Federatën lokale të Futbollit, e po ashtu edhe me UEFA-n. Për momentin, sa kemi informata nga terreni, nuk ka ndonjë rrezik për ndeshjen zyrtare mes Rumanisë dhe Kosovës në Prishtinë. Sidoqoftë, ne duam që të sigurohemi që tifozët tanë të jenë të sigurt nëse duan të udhëtojnë në Prishtinë”, deklaroi fillimisht kreu i futbollit rumun.
“Kjo është arsyeja se përse kërkoj nga tifozët që t’i shikojnë krejt kanalet e Federatës, ku do të japim informata të freskuara. Sepse, ne kujdesemi për sigurinë e tifozëve, që ata të mos rrezikojnë. Ky është synimi ynë. Ne do ta vendosim sigurinë dhe shëndetin e tifozëve rumunë para çdo gjëje, prandaj edhe i mendojmë krejt skenarët e mundshëm. Në ditët në vazhdim, ne do të kthehemi me më shumë informacionet rreth këtij rasti. Nëse ekziston edhe më i vogli rrezik, ne nuk do ta marrim asnjë rrezik dhe tifozët tanë nuk do të vijnë në Prishtinë”, vazhdoi Burleanu.
Rumunët shpresojnë që situata në Kosovë të çtensionohet në ditët në vazhdim, në mënyrë që tifozët rumunë të mund të vijnë në stadiumin “Fadil Vokrri” për ta përkrahur Kombëtaren e tyre në një përballje direkte për vendin e dytë të Grupit I.