Rukiqi: Qeveria do të përdorë rritjen e koeficientit në fund të mandatit për të blerë votat e njerëzve që i ka varfëruar
Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka deklaruar se shkaku i mosveprimit të Qeverisë për rritjen e koeficientit për gati 4 vjet, rreth 30 mijë qytetarë i janë shtuar listës së personave të varfër.
Rukiqi ka thënë se kësaj Qeverie nuk i intereson jetesa e qytetarit, por vetëm kalkulimet për vota.
Sipas tij Qeveria tani krejt në fund do të përdorë buxhetin për rritjen e koeficientit, por vetëm për t’i blerë votat e atyre personave që janë varfëruar gjatë mandatit të Kurtit.
“Qeveria në kohën kur është bërë thirrje vazhdimisht që të zbutet gjendja e vështirë që e kanë pasur qytetarët për të përballuar koston e jetesës, nuk ka vepruar gati për 3 vite me gjithë thirrjet të cilat kanë qenë edhe në Parlament edhe nga njohësit e ekonomisë edhe nga i gjithë spektri i partive politike, që kanë dërguar propozime”, ka thënë Rukiqin për Express.
Sipas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës ka pasur një varg propozimesh, jo vetëm sa i përket rritjes së koeficientit kur është bërë propozimi për rritjen e koeficientit por edhe masat e tjera që do të ndikonin që të mos rritet numri i qytetarëve të varfër.
“Ajo që ne kemi parë nga ky mosveprim së paku rreth 30 mijë qytetarë janë shtuar listës së personave të varfër, që janë në gjendje të varfërisë dhe kjo vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e mosveprimit të Qeverisë e cila nuk ka arritur që ta përballojë një inflacion që nëse merret në kumulativ, nëse e mbledhim për tri vite shkon diku 26%”, ka thënë Rukiqi.
Sipas tij, koeficienti duhet të jetë 150 euro ashtu siç e ka të paraparë Lidhja Demokratike.
“Nëse e shikojmë nga ana e vlerës financiare duke supozuar që një pagë mesatarë në vend është rreth 500 euro, atëherë secili qytetarë sot merr rreth 60 euro më pak, nëse merret për bazë paga mesatare dhe në vend që të kishte përmirësim të kushteve të jetesës, Qeveria edhe nuk ka vepruar edhe është sillë me arrogancë edhe tani krejt në fund do të përdorë buxhetin për blerjen e votave të këtyre qytetarëve të varfëruar” ka thënë Rukiqi
Pra kjo është politika e mbrapshtë e Qeverisë, që nuk i intereson koha kur duhet të veprohet për përmirësim të jetës së qytetarë, por iu intereson vetëm cikli zgjedhor dhe të shpërndajë para gjatë këtij cikli duke synuar të rrite koeficientin, që nga kjo rritje të blejë vota”, ka përfunduar ai.