Rugovizmi si kopje e disidencës çekosllovake
Për ta kuptuar drejtë lëvizjet apo ideologjitë politike, është e nevojshme të kuptohet konteksti brenda të cilit lindin e zhvillohen ato. Konteksti në të cilin u lind rugovizmi është ai i fundit të komunizmit. Mënyra se si u shëmbën regjimet komuniste në Europën Lindore, pas rënies së Murit të Berlinit, paraqet modelin themelor në të cilin u mbështet Rugova dhe lëvizja politike e udhëhequr prej tij.
Në këtë drejtim, inspirimin kryesor politik Rugova e morri nga disidenca çekosllovake. E gjithë rezistenca paqësore kosovare, e mbështetur në krijimin e sistemit politik paralel, është kopijim i taktikave të kësaj disidence.
Kur Bashkimi Sovjetik e shtypi Pranverën e Pragës në vitin 1968, intelektualët antikomunistë çekosllovakë erdhën në disa përfundime:
1. Ndryshimi i regjimit komunist me dhunë nuk është i mundur.
2. Nuk është i mundur as ndryshimi paqësor i regjimit nga brenda, me anë të reformimit gradual.
3. E vetmja zgjidhje mbetet krijimi i një hapësire paralele të mendimit dhe veprimit opozitar.
Vaclav Benda, filozofi çek, që bënte pjesë në qarqet disidente, i artikuloi këto përfundime në tekstin e tij të famshëm “Qyteti paralel”. Në konceptin e këtij qyteti parashihej krijimi i strukturave opozitare që përfshinin politikën, ekonominë, arsimin, kulturën, shëndetësinë, e të cilat do funksiononin të pavarura nga sistemi shtetëror, e me qëllim thellimin e diskreditimit të këtij sistemi.
Ky koncept i kundërshtimit joviolent të regjimit, në Perëndim u interpretua si kundërvënie midis shoqërisë civile dhe regjimit totalitar dhe kjo më pas solli ngritjen e kultit antikomunist të shoqërisë civile, brenda të cilit qëndronte besimi se asnjë regjim represiv nuk do të mund të rezistojë gjatë përballë kundërshtimit paqësor civil të qytetarëve. Rugovizmi është aplikim i këtyre ideve politike në kushtet e Kosovës të pas vitit 1989.
Mirëpo çdo kopijim dallon prej origjinalit dhe formulat politike rëndom janë kontekstuale e nuk funksionojnë njësoj në të gjitha situatat.
Sistemi paralel i krijuar nga disidentët çekosllovakë, kishte përballë një regjim autoritar në rënie e sipër, ideologjia e të cilit pothuajse kishte humbur të gjitha kredencialet dhe mbështetësit.
Ndërkaq, sistemi ynë paralel, kishte përballë një regjim të sapongritur dhe shumë vital, regjimin fashist të Milosheviqit, i cili frymëzohej nga një ideologji ultranacionaliste, e gatshme për të ofruar justifikimin e të gjitha formave të ushtrimit të dhunës mbi shqiptarët.
Qyteti ynë paralel nuk mund të bënte më shumë, se atë që bëri : mosnënshtrimin ideologjik ndaj regjimit serb dhe mbajtjen gjallë të çështjes së Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Kur Kosova nuk u përmend fare në Konferencën e Dejtonit, atëherë u pa se politika ndërkombëtare, përkundër mirëkuptimit që ka për pacifistët, nuk lëvizë dot në mungesë të kundërshtimit të armatosur. Kjo krijoj kushtet për shfaqjen e UÇK-së.
I rrethuar nga burokratë të akomoduar në pushtetin e strukturave paralele, Rugova nuk arriti të lexoj situatën e re dhe të kuptoj se Qyteti Paralel Kosovar kishte arritur në limitet e tij. Ajo çfarë ndodhi më pas, është histori e njohur nga të gjithë.
*Shkrimi në fjalë është marrë nga profili i z.Latifi në Facebook.