Rubio merr udhëheqjen e USAID-it

Rubio merr udhëheqjen e USAID-it

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka marrë postin e ushtruesit të detyrës të administratorit të Agjencisë të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Gjatë një deklarimi për media, Rubio tha se ka shumë funksione të USAID-it “që do të vazhdojnë” dhe ato, sipas tij, do të jenë pjesë e politikës së jashtme amerikane, por “duhet të jenë në linjë me politikën e jashtme amerikane”.

“E kam thënë shumë qartë gjatë seancave dëgjimore për konfirmimin tim se çdo dollar që shpenzojmë, çdo program që financojmë, ai program do të jetë në linjë me interesat kombëtare të SHBA-së. USAID-i ka një histori të injorimit të kësaj dhe ka vendosur që, disi është një organizatë bamirëse globale, e ndarë nga interesat kombëtare. Këto janë para të taksapaguesve”, deklaroi kryediplomati amerikan më 3 shkurt gjatë vizitës në El Salvador.

Mediat në SHBA kanë raportuar ditëve të fundit se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, duket se po mbyll USAID-in, në kuadër të një morie masash për shkurtime të shpenzimeve qeveritare.

Organizatat humanitare ndërkombëtare kanë paralajmëruar se një vendim i tillë mund të ketë pasoja katastrofike.

Në krye të nismës për mbylljen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) është Elon Musk, i emëruari i Trumpit për ulje të shpenzimeve qeveritare.

Musk pretendon se administrata mund t’i ulë shpenzimet për 1 trilion dollarë, dhe gjithë lëvizjen e tij e përshkruan si betejë kundër korrupsionit.

Punëtorët e USAID-it kanë pranuar një njoftim se selia e agjencisë në Uashington do të jetë e mbyllur për personelin, më 3 shkurt, “me vendim të udhëheqjes së agjencisë”, kanë raportuar mediat amerikane, si CNN dhe Associated Press, duke cituar disa burime të veta.

Shpërndaje në: