RTK s’distancohet nga shkrimi i gazetës boshnjake, i nis pyetje Drejtorit të Periskopit – ai e publikon e-mailin

RTK s’distancohet nga shkrimi i gazetës boshnjake, i nis pyetje Drejtorit të Periskopit – ai e publikon e-mailin

Drejtori i “Periskopit”, gazetari Ilir Mirena, ka publikuar e-mailin që i ka dërguar një gazetare e RTK Live, lidhur me shkrimin e gazetës boshnjake “Slobodna Bosna” që atakon dy media të Kosovës, e që u publikua edhe në transmetuesin publik.

Mirena ka thënë se grupe të caktuara brenda RTK-së ende po insistojnë “ta mbajnë gjallë këtë shpifje dhe të ndërtojnë sërish lajme mbi bazën e një shpifjeje që e kanë publikuar vet”.

“Po shkruaj një artikull për reagimet e opinionit kosovar ndaj tekstit që RTK e ka transmetuar nga portal Slobodna Bosna; po përpiqem të zbuloj se cila është e vërteta dhe çfarë është manipulimi i publikut.  Meqenëse portal juaj përmendet në artikullin e SB-së, a mund të komentoni deklaratat e diskutueshme nga teksti dhe kështu të na ndihmoni pse Periskopi dhe Nacionale u përmendën në kontekstin e lidhjeve të supozuara me njerëz të afërt me Presidentin Vuçiq. Pra, a keni pasur ndonjëherë kontakt me personalitetet e përmendura në tekst? Nëse po, a kanë treguar interes për të blerë portalin tuaj apo për të ndikuar në politikat tuaja editorial në çfarëdo mënyre”, është përmbajtja e e-mailit që ka publikuar Mirena.

Ndryshe, Radio Televizioni i Kosovës e transmetoi të hënën në edicionin qendror të lajmeve një lajm se presidenti serb Aleksandar Vuçiq po i merr në dispozicion të tij mediat e Kosovës.

Lajmi doli edhe në web-faqen e televizionit, ku u përmendën dy mediumet, Periskopi dhe Nacionale. RTK-ja citonte një artikull të “Slobodna Bosna”, duke shkruar se Periskopi është “nën kontrollin e drejtpërdrejtë të terroristit nga Banjska, Milan Radoiçiq”, dhe se së fundmi “është bërë një transaksion miliona dollarësh te Nacionale”.

Bordi i RTK-së mbajti mbledhje pas reagimeve të shumta, ku pastaj përmes një reagimi shprehu keqardhje për publikimin e artikullit.

“Bordi shpreh keqardhje për publikimin e një artikulli ku janë apostrofuar mediat e Kosovës në mediumin boshnjak, ndonëse RTK në asnjë raportim nuk i ka përmendur ato. Kjo është theksuar nga stafi editorial gjatë takimit”, u tha në një komunikatë të lëshuar në mbrëmje.

Bordi tha se është shqetësuar për publikimin “e artikullit kontrovers në RTK”, të cilin e cilësoi si “lëshim të qartë”. U paralajmëruan formimi i një komisioni “për ta sqaruar situatën në detaje dhe për ta ndriçuar përgjegjësinë editoriale për këtë lëshim”, si dhe “masa rigoroze konform ligjit dhe akteve të brendshme të RTK-së”.

Shpërndaje në: