Rrugëtimi i Kosovës në një çerek shekulli liri

Rrugëtimi i Kosovës në një çerek shekulli liri

25 vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas një fushate ajrore 78-ditëshe kundër caqeve ushtarake e policore serbe. Me futjen e tyre në “tokën e djegur”, iu dha fund luftës së nisur në vitin 1998, mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese serbe.

Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas Marrëveshjes së Kumanovës e cila u arrit më 09.06.1999, ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia pranonte kapitullimin dhe detyrohej t’i tërhiqte të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga Kosova.

25 vjet nga ajo ditë, misioni i NATO-s, KFOR-i, vazhdon të menaxhojë situatën e sigurisë, si në jug, ashtu edhe në veri të Kosovës.

25 vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas një fushate ajrore 78-ditëshe kundër caqeve ushtarake e policore serbe. Me futjen e tyre në “tokën e djegur”, iu dha fund luftës së nisur në vitin 1998, mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese serbe.

Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas Marrëveshjes së Kumanovës e cila u arrit më 09.06.1999, ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia pranonte kapitullimin dhe detyrohej t’i tërhiqte të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga Kosova.

25 vjet nga ajo ditë, misioni i NATO-s, KFOR-i, vazhdon të menaxhojë situatën e sigurisë, si në jug, ashtu edhe në veri të Kosovës.

Për shënimin e përvjetorit të lirisë, në Kuvendin e Kosovës, më 10.06.2024, u organizua një seancë solemne, ku i ftuar ishte ish-kryeministri britanik, Tony Blair, i cili vlerësohet si njëri nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës, krahas ish-presidentit amerikan, Bill Clinton.

Blair tha para deputetëve se “bombardimet e NATO-s, 25 vjet më parë kundër forcave jugosllave për të ndalur dhunën në Kosovë, ishin gjëja e duhur për t’u bërë”.

“Ne ndihmuam dhe nuk jam penduar kurrë për këtë”- u shpreh Blair.

E gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, i cili e ka udhëhequr fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe më 1999, ka shprehur bindjen se mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ketë stabilitet, derisa “Moska t’i tërheqë ambiciet e saj imperialiste nga rajoni”.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai ka thënë se “Serbia është si një magnet që i tërheq ambiciet imperialiste ruse në Evropë”

“Serbia duhet ta kuptojë se e ardhmja e saj është me Perëndimin. Kur serbët ta kuptojnë këtë, nuk do të ketë probleme me Kosovën”, ka deklaruar Clark.

Ndërkohë, ish-sekretari i NATO-s, Lord George Robertson, gjatë një fjalimi në Samitin për Ballkanin Perëndimor të mbajtur në Prishtinë, ka përkujtuar se asokohe kanë qenë të detyruar të “ndërmerrnin veprime ndaj forcave paraushtarake të Sllobodan Millosheviqit”, të cilat përpiqeshin të bënin spastrimin etnik të Kosovës.

Bazuar në të dhënat e Fondit për të Drejtën Humanitare mbi 13,500 njerëz kanë vdekur ose janë zhdukur gjatë dhe menjëherë pas luftës nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.

Po, sipas kësaj organizate, gjatë luftës së fundit u vranë 1024 fëmijë.

Dhe, sipas të dhënave të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, 1617 persona vazhdojnë të jenë ende të zhdukur nga lufta.

Transformimi i ushtrisë dhe shpallja e pavarësisë

Pas çlirimit të Kosovës u nënshkrua marrëveshja për demilitarizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në shtator 1999, u themeluan Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK), si forcë jo ushtarake, por si forcë reaguese në rast të katastrofave natyrore.

Nëntë vjet më vonë, më 17 shkurt 2008, Kosova u shpall shtet i pavarur.

Ky përvjetor e gjen këtë vend të njohur nga 117 shtete të botës, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Shteti i fundit në listë që ka njohur pavarësinë e Kosovës është Izraeli, më 1 shkurt të vitit 2021.

Kosova ende nuk njihet nga pesë shtetet anëtare të BE-së: Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

Fill pas shpalljes së pavarësisë, Kosova në koordinim me partnerët ndërkombëtarë nisi përgatitjet për formimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Këto përgatitje përfunduan në janar të vitit 2009.

Jo shumë kohë pas krijimit të FSK-së, filluan ëndrrat për ta shndërruar në ushtri të rregullt.

Kjo u arrit më 14 dhjetor 2018, kur Kuvendi i Kosovës, me 106 vota pro dhe një abstenim miratoi tri ligjet që e ndryshojnë mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.

FSK-ja, aktualisht, ka rreth 2.500 pjesëtarë. Pas periudhës së tranzicionit, ky numër pritet të rritet në mbi 7.500 dhe të përfshijë pjesëtarë aktivë dhe rezervistë.

Prej vitit 1999 kur vlerësohet që në Kosovë ishin vendosur rreth 50 mijë ushtarë të KFOR-it, tani ky mision paqeruajtës i ka rreth 4.500 trupa në Kosovë nga 27 shtete të NATO-s dhe shtetet partnere.

25 vite pas çlirimit, në maj të këtij viti, Asambleja Parlamentare e NATO-s e ka miratuar rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka falënderuar vendet anëtare që e kanë miratuar avancimin e pozitës së Kosovës dhe ka thënë se e ardhmja e vendit që ajo e udhëheq është në NATO.

“Ky vendim do të garantojë se do të dëgjohet zëri i popullit më pro-NATO në gjithë botën. Ne do t’i vazhdojmë përpjekjet tona, bashkë me aleatët, që të avancojmë në rrugën tonë drejt anëtarësimit në NATO”, ka thënë Osmani përmes një postimi në X, platformë e njohur më parë si Twitter.

Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, në anën tjetër, angazhohet vazhdimisht në fushata lobuese kundër shtetit më të ri në Europë.

Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar anëtarësim të përshpejtuar në NATO, pasi Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Kosova kufizohet me tri shtete anëtare të NATO-s: Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Anëtarësimet e Kosovës në organizatat ndërkombëtare

Përgjatë 16 vjetësh shtetësi dhe 25 vjetësh liri, Kosova është anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare, siç janë: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

Por, Kosova nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë e të tjera.

Në Kosovë kishte pritshmëri se në takimin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës më 17 maj 2024, do të vulosej që shteti më i ri në Europë do të bëhej anëtar i 47-të i KiE-së.

Por, nga disa shtete, Kosovës i është kërkuar dorëzimi i projektstatutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatë Kushtetuese si hap për të fituar mbështetjen e shumicës së përfaqësuesve të shteteve anëtare të KiE-së për anëtarësim në këtë organizatë.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, më 16.05.2024, i ka dërguar letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për siç ka thënë ajo, zotimin për përgatitjen e një drafti që parasheh “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”.

Oferta e qeverisë nuk është marrë parasysh dhe kësisoj, çështja e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë nuk është vendosur në agjendën e kësaj mbledhjeje.

Në Asamblenë Parlamentare më 16.04.2024, Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të këtij mekanizmi ndërkombëtar.

Kosova ka aplikuar më 12.05.2022, për anëtarësim në Këshillin e Europës, me dorëzimin e aplikacionit nga zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla.

Ndërkaq, çështja e Asociacionit që një kohë të gjatë po qëndron pa asnjë zgjidhje. Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Liria e lëvizjes dhe dialogu i papërfunduar

Në prag të 25 vjetorit të çlirimit, Kosova shënoi një të arritur në lëvizjen e lirë të qytetarëve. Liberalizimi i vizave është njëra prej temave që iu premtua më së shumti qytetarëve të Kosovës ndër vite, ndërsa nga data 1 janar 2024 kanë fituar të drejtën e udhëtimit pa viza në Zonën Schengen.

13 nga 25 vjetët e çlirimit, zhvillimet politike në Kosovë i ka karakterizuar dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i nisur në vitin 2011.

Gjatë këtij procesi, shumë marrëveshje janë nënshkruar por pak prej tyre kanë arritur të zbatohen.

Edhe përvjetori i 25-të i çlirimit, në Kosovë po shënohet me manifestime të ndryshme. Aktivitetet për shënimin e 25-vjetorit kanë nisur nga data 8 deri më 21 qershor.

Në Prishtinë, për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s dhe Çlirimin e Kosovës, u  organizuan edhe dy konferenca shkencore me titull, “Një çerek shekulli shtetndërtim, sfida dhe arritje-qasje multidisiplinare”, dhe “Rugova dhe Perëndimi”.

Ndërsa më 10.06.2024, Kosovën e vizitoi sh-kryeministri britanik Tony Blair i cili u shpall “Qytetar nderi” i Prishtinës.

Për vizitë ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i cili zhvilloi takim me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, mori pjesë në konferencën e organizuar nga LDK-ja, dhe u takua me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.

Në kuadër të aktiviteteve, më 12 qershor do të mbahet seancë solemne në Kuvendin e Kosovës, ndërsa pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës do të parakalojnë nëpër sheshin e kryeqytetit. /Kallxo

Shpërndaje në: