Rritja e shtesave, Selmanaj: Përpjekje për të blerë vota, me 20 euro s’mbulohen 4 vite dështimi

Rritja e shtesave, Selmanaj: Përpjekje për të blerë vota, me 20 euro s’mbulohen 4 vite dështimi

Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se rritja e shtesave për fëmijët është përpjekje e Qeverisë për të blerë vota.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Selmanaj ka thënë se me 20 euro nuk mund të mbulohen katër vite dështimi.

“Me 20 Euro – Nuk mund të mbulohen 4 vite DËSHTIMI.

Siç kemi thënë gjithmonë, kjo qeveri:

NUK KA ekip profesional,

NUK KA strategji,

NUK KA përvojë”, shkroi ai.

Deputeti i LDK-së tha po ashtu se për shkak të mungesës së investimeve në projekte kapitale, gjatë mandatit të Qeverisë Kurti janë larguar nga Kosova mbi 200 mijë qytetarë.

Sipas tij, shtetet nuk zhvillohen me ndihma sociale, por me projekte konkrete.

“Për shkak të mungesës së investimeve në projekte kapitale, bllokimit të ekonomisë dhe mungesës së punësimit, para pak ditësh pamë që vetëm gjatë mandatit të kësaj qeverie nga Kosova janë larguar mbi 200,000 qytetarë.

Prandaj, për të mbuluar dështimet në premtimet që vetë i kanë dhënë, tani po shohim përpjekje për të blerë vota. Sa më afër zgjedhjeve, aq më shumë iniciativa të tilla do të shohim.

Nëse do të investonit në projekte kapitale, njerëzit nuk do te largoheshin kaq masivisht nga Kosova, por do të punësoheshin dhe do të merrnin paga të merituara, jo ndihma sociale.

Shtetet nuk zhvillohen me ndihma sociale por me projekte konkrete.

Kryeministër, dështimet po të peshojnë shumë më shumë”, shkroi Selmanaj në Facebook.

Shpërndaje në: