Rritet pabarazia edhe në ndotje të ajrit: të pasurit preken shumë më pak se varfanjakët
Qytetet e pasura e kanë përmirësuar cilësinë e ajrit, por në vendet e varfëra kemi një rritje alarmante që po i vret 7 milionë njerëz në vit, zbulojnë të dhënat e WHO-së
Po zgjerohet pabarazia edhe në cilësinë e ajrit që thithin të pasurit dhe të varfërit, sipas të dhënave të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë [WHO/OBSH]. 7 milionë njerëz vdesin – dhe shumica në vendet në zhvillim siç është edhe Kosova – nga kontaminuesit e ajrit.
Nëntë nga dhjetë njerëzit në planet jetojnë në vende të varfëra dhe thithin ajër të ndotur – thuhet në raportin e OBSH-së, përcjell Periskopi.
Për të parën herë, raporti përfshiu të dhëna historike rajonale, që tregonin se më shumë se 57% në kontinentet amerikane dhe më shumë se 61% në Evropë kanë pësuar ulje nga PM10 dhe PM2.5 mes 2010-s dhe 2016-s.
Por, megjithëse cilësia po përmirësohet në këto vende, në pjesët e tjera të botës gjendja vetëm sa po rëndohet më tej.
Përkeqësimi më rapid po ndodh në Azinë jugore e juglindore, ku më shumë se 70% e qyteteve të varfëra vuajnë nga kualiteti i keq i ajrit. Keq është edhe Lindja e Mesme.
Delhi e Cairo janë dy mega-qytetet më të ndotura në botë me nivele alarmante. Ato ndiqen nga Dhaka, Mumbai dhe Pekini, raporton Guardian.
Mes qyteteve më të ndotura është edhe Prishtina, kryeqyteti i Republikës sonë, e cila poashtu vuan nga varfëria, kaosi urban dhe praktikisht e ka të pamundur që të bëj përmirësime përmbajtësore në këtë drejtim. /Periskopi