Rriten shpenzimet e Qeverisë, kaq arrin shuma

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat mbi llogaritë qeveritare për tremujorin e katërt të vitit 2024, duke treguar një rritje si në të hyrat ashtu edhe në shpenzimet e Qeverisë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas ASK-së, gjatë TM4 2024, shpenzimet qeveritare arritën në 1.134 milione euro, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2023 ishin 1.062 milionë euro.
Në anën tjetër, të hyrat qeveritare gjithashtu shënuan një rritje, duke arritur në 941.6 milionë euro nga 806.5 milionë euro sa ishin në TM4 2023.
Tatimet mbi produktet mbeten burimi kryesor i të hyrave, duke kontribuar me 67% të totalit, pasuar nga tatimet mbi të ardhurat me 13%, aktivet dhe detyrimet financiare me 12%, ndërsa pjesa e mbetur vjen nga kategori të tjera.
Në aspektin e shpenzimeve, pjesën më të madhe e përbëjnë kontributet sociale dhe përfitimet me 24%, investimet në formimin e kapitalit bruto me 22%, kompensimi i punëtorëve me 18%, ndërsa konsumi i ndërmjetëm zë 14%.
Pjesa tjetër e shpenzimeve është ndarë në kategori të ndryshme.
Ky raport ofron një pasqyrë të detajuar mbi financat publike dhe dinamikat e tyre gjatë tremujorit të fundit të vitit 2024.