Rriten raportimet e qytetarëve për të shtënat me armë në ahengje
Raportimet nga qytetarët për të shtëna me armë në ahengje të ndryshme në Kosovë, janë rritur.
Kështu u tha në takimin e grupit për implementimin e Strategjisë dhe Udhërrëfyesit Rajonal për Armë të Vogla, të Lehta dhe Eksplozivë –AVLE, i cili u mbajt në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Takimi u kryesua nga zëvendësministri i Punëve të Brendshmem Blerim Gashani, përkatësisht Koordinatori Nacional për Kontrollin e Armëve të Vogla, të Lehta dhe Eksplozivëve.
Në këtë takim u bë një vlerësim i përgjithshëm i të gjitha objektivave strategjike dhe zbatimit në praktikë të aktiviteteve që dalin nga Strategjia dhe Udhërrëfyesi Rajonal, ku u konstatua se një pjesë e madhe e aktiviteteve janë duke u zbatuar sipas dinamikës së planifikuar, ndërkohë që u diskutuan edhe sfidat për disa aktivitete tjera.
Sipas njoftimit për media, ky takim pati theks të veçantë, fushatën vetëdijesuese: “Festo me zemër, jo me armë”, që është duke u zbatuar aktualisht nga MPB-ja dhe me këtë rast Gashani, vuri në pah se kjo fushatë do të vijojë të jetë dinamike gjatë gjithë vitit, me qëllim që të arrihen synimet për rënien e numrit të rasteve ku ka të shtëna festive.
Tutje, bëhet e ditur se Gashani vuri në dukje se fushata është duke i dhënë efektet e saj, pasi kemi një numër të shtuar të rasteve kur qytetarët janë duke i raportuar këto të shtëna, ndërkohë që këto raportime janë duke u trajtuar seriozisht në veprime konkrete nga Policia e Kosovës, të cilët janë dukë ndërhyrë në konfiskimin e armëve dhe arrestimin e të dyshuarave, raporton Klankosova.tv.
Në këtë takim si sfidë e rëndësishme u diskutua edhe forma e cilësimeve të veprave, në rastet kur ka të shtëna me armë dhe i gjithë grupi u dakordua se kjo formë në të ardhmen duhet të ndryshojë bazuar në ligjet në fuqi dhe Kodin Penal të Republikës së Kosovës.