Rrëzimi i “Sarajit të Vjetër”, Totaj: Çeku ka thënë shumë të pavërteta

Rrëzimi i “Sarajit të Vjetër”, Totaj: Çeku ka thënë shumë të pavërteta

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj ka mbajtur sot konferencë për shtyp, për akuzat e ministrit të Kulturës Hajrulla Çekut, karshi komunës për rrënimin e “Sarajit të Vjetër”.

E Totaj, është shprehur se ministri Çeku ka akuzuar komunën pa të drejtë, njofton Klankosova.tv.

“Në konferencën e Çekut janë thënë shumë të pavërteta. Po pretendohet se komuna ka shkelur rregullat me lejen e ndërtimit të ashtuquajtur “Saraji i Vjetër”. Ky rast ka një histori, nuk është rast që ka ndodhur për një afat të shkurtër kohor. Hera e parë për një kërkesë të tillë ka qenë në vitin 2018, ku dhe është refuzuar nga kryetari i asaj kohe. Nga Gjykata ka ardhur konfirmimi se komuna është e obliguar ta pranoj vendimin e ministrisë së Ambientit dhe investitorët t’i pajisin me leje. Pas humbjes së rastit nga komuna, një ministri çuditërisht ka tentuar që lokacionin ta vendos nën mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore. Ky tentim ka qenë i kundraligjshëm, sepse ka filluar të ndodh gjatë procedurës së dhënies së lejes”, u shpreh i pari i Prizrenit në konferencë.

Ndër të tjera, Totaj me fjali nga populli, u shpreh se njerëzit e mençur kanë dilema, e kinse Çeku jo, pasi bëri të padrejtë ndaj komunës.

“Imagjinata është në luftë me realitetin. Koha bashkëkohore ka probleme sepse njerëzit e mençëm kanë dilemë, mirëpo si duket ministri Çeku nuk pas pasur dilema as në imagjinatën e tij për të na atakuar pa të drejtë”, tha Totaj.

Po ashtu kryetari i Prizrenit ka dhe një pyetje për ministrin Çeku.

“Kisha dashtë me pyet zoti Çekun për një zyrtare që është pezulluar nga puna, të sqarohet për opinionin publik se çfarë shkeljesh ka bërë”, tha Totaj.

Shpërndaje në: