Rreth flamurit të familjes
Kahera gjatë një interpretimi të novelës “Etër dhe bij” të Turgenjevit, sociologu qipriot Ulus Baker, pyeste: “përse Turgenjevi në fund e mbyt Bazarovin?” (heroin e novelës), të cilin përgjatë tërë novelës autori na e sjell si student që shenjtëron shkencën, në veçanti fiziologjinë, meqë si një i ardhur nga studimet jashtë atdheut për në vendlindjen e tij krejtësisht provinciale, heroi nuk mund ta durojë mjedisin që e ka rritur, konfrontohet pandalë me babain e tij, teksa herë-herë e ndeshim edhe si nihilist). Në pyetjen e bërë vetë, Baker, pa shumë ekuivoke përgjigjej po vetë: “sepse nuk ka ç’të bëjë tjetër”. Jemi në Rusinë e gjysmës së dytë të shek. XIX pra, ku provincializmi shterpëzon edhe imagjinatën e klasikëve rus: bjeri kah të duash, në fund, nëse veç do ta pasqyrosh Rusinë e kohës, duhesh që heroit tënd t’i presh një këmishë të tillë.
Vrasja e një 14 vjeçari në Kamenicë nga dora e babait të tij, me pahir ka lidhje me zgjedhjen që pati bërë Turgenjevi, një shekull e gjysmë më parë. Me pahir ka edhe një lidhje me humbjen e gjithsecilit kuptim të termit nepotizëm a familjarizëm. Me pahir ka një lidhje edhe me aksfisimin e hallës së autorit të këtyre rreshtave (hallës time), në 1957-tën e largët nga burri i saj, tek i cili ishte shitur nga axha i vet. Vit që ani pse shënonte zenitin e zullumit të Rankoviqit, si rast i përjetuar, as sot e as atëherë fajin nuk mund t’ia faturoj pushtetit jugosllav. Kjo meqë ai që kishte kryer shitjen e njeriut ishte dhe është monstrumi shqiptar. Shqiptari shiste mbesën e tij 17 vjeçare për para, për t’ia zhdukur ngadalë familjen vëllait të ndjerë. Me pahir ka një lidhje me grotesken e sojit të tillë, ku jo më larg se para 30 e diçka vitesh gjen Gjergj Rrapin, një prej themeluesve të Katedrës së Sociologjisë në UP, të ngatërruar në bela familjare me Rektorin e sotëm të UP-së, Marjan Demaj, për çështje…(mbahuni mirë): të vadës së ujit/kanalizimit, bela që mori 3 apo 4 jetëra! Me pahir ka të bëjë me edhe mua dhe përlarjet që lashë pas me nënën time para se të mbërrija në këtë Internet Caffe…
Sot, 30 vite pas zhurmimit politik, me status e autonomi; me integrime e pavarësi; me frymë rugoviane e komandantë; me VLAN e Vetëvendosje kapriçiosh gjimnaziste, ta buçisësh familjarizmin në çarshi të Prishtinës, s’ke thënë diç përtej një tautologjie matematikore. Në fakt, ke buçitur të vërtetën, e ditur, por të gëlltitur. Ke kumtuar të padëshiruarën e konvenuar.
Dhe është ky është mu ai lajmi i keq, që sinjalizon rikthimin e apatisë politike, rikthimin e hapësirës publike në hapësirë memece. Rikthimin e ndjesisë së vetëpreokupimit dhe të braktisjes së gjithçkaje që është përtej dalzotës personale e familjare. Lajm që kumton diktimin e aktivitetit njerëzor e politik nga mbijetesa e jo e anasjellta, të gjallërisë jetësore dhe politike nga aktiviteti njerëzor, qytetar e politik. “Provinca është shpirti i fjetur i farefisnisë” – thoshte studiuesi serb Radomir Konstandinoviq më 1969, teksa shpallte se shoqëria jugosllave nuk e kishte kaluar akoma stadin e familjes. Pardje iu gëzova ndërmjendjes së këtij autori nga Enver Hasani në një shkrim bukur të dendur dhe analitik, që në fakt më shumë ngjante në një anamnezë të tërë 4 vjeçarit të fundit politik të vendit, e besa në shumë aspekte edhe të tërë pasluftës. Gëzim afatshkurtër. Krejt rastësisht Enver Hasani dora vetë, ia befi deri në repart të Nerologjisë, ku ndodhem me nënën, dhe direkt apo indirekt e kontaktoi mjekun që po kërkonte, pa pritur në rend. Atë që kishte kritikuar në të shkruar e shkeli në të bërë, anipse kjo s’çon fort peshë, sa çon kumti që as Enveri, as Hasani, as Fatlumi e as Sadiku s’po arrijnë dot t’i shpëtojnë qarkimit të qenies, aporisë që pengon realizimin e njeriut si njeri: familjes.
Dhe dëshprimisht dita-ditës shoh zëra të ngjirur që duket se i dorëzohen fatit. Shoh studiozë teksa habiten që Gjergj Rrapi, s’njihet vetëm për bela familjare e studime mbi familjen, por edhe për disa studime më duket mbi zadruga. Shkundje e madhe për miletin e Wesley Clarck-ëve dhe për Toni Blerët që edhe pak do mbushin 20 vera. Eh pra, po! Zadruga ka qenë e vërteta e këtij mileti, dhe zadrugaxhi me gjasë do mbesë…
…krejt në fund mbytja e Bazarovit, ngjashëm me vdekjen e minorenit kamenicas, më ngjan si fundi real i një vargu që Pushkini e përdorë diku në mes të një poezie të tij: “jetë zhurmëkote”. Vërtetë a nuk ishte i gjori njomak viktimë e një jete zhurmëkote që na karakterizon në krejt këtë pasluftë? Dodisdo! Me një dallim, nëse tek rusët Turgenjevi përmbyllë Pushkinin, tek ne s’ka as kush t’i shkruaj minorenit fatkeq. S’ka kush t’i bëjë apoteozën vdekjes së tij, që në fakt është vanitje brezi. Kjo meqë ne prodhojmë vetëm Albatrosë.