Rrëfimi i një paraziti

Rrëfimi i një paraziti

Para do ditëve, kryetari i kuvendit të Kosovës bëri një deklaratë goxha të fortë kundër një pjese të madhe njerëzish të papunë [apo edhe me punë të këqija]. Ai tha: “Kosovës nuk i vyejnë parazitët që ankohen por ndërmarrësit e rinj”.

Para se të rinisja punën në Periskop, unë kisha mbetur i papunë për gati një vit. Merrja ndonjë pare prej dy blogjeve ku shkruaja por ajo shumë rrallë shkonte në 150 euro në gjithsej. Kishte muaj kur unë jetoja me veç 80. Pra, me dy euro e gjysmë për një ditë.

Isha parazit por jo aq i rëndomtë. Nuk ankohesha. Ose e bëja atë gjë rrallë, kur fjalët më dilnin si me dhunë prej goje. Ose shkruaja ndonjë shkrim si ky. Kështu kisha zgjedhur, sepse kështu më ruhej liria e pavarësia ime si individ. Dëshpërimisht kërkoja punë, ndonjëherë nëpër rrethana që më ngjallnin shpresë e ndonjëherë që ma shuanin krejt. Ta zëmë, në vendin e vetëm [sa më kujtohet] për punë ku aplikova me CV e letër motivimi, në një portal pa-lidhje, m’u kthye përgjigjje negative me njëqind-e-dy gabime drejtshkrimore në njëqind e dhjetë fjalë. I kam numëruar por nuk përjashtoj mundësinë që të gabohem për pak. Kur je parazit, kur nuk ke çka bën, më mirë livrite derën thonë. Rrija nganjëherë gjithë ditën e lume dhe lexoja. Deri në njëzet orë. Dilja rrallë me ndonjë shok, por duke e mprehur kujtesën për rastet kur duhej të paguanim. Me njërin prej tyre u prisha sepse më kishte thirrë nja pesë herë e unë gjeja arsyetime për ta hequr qafe. Pse? Sepse, sa herë që dilnim paguante ai meqë mua s’ma mbërrinte. Një birrë mund ta paguaja, por jo më shumë se kaq.

Gjatë asaj kohe hyra në një depresion aq të rëndë sa i humba njëzet e kusur kilogramë. Tri katër ditë s’më merrte gjumi, për tri katër ditë nuk haja asgjë. Bëja jetë qençe dhe nuk shihja dalje nga ajo derexhe. T’iu them të drejtën, aty e mora vesh se sa të pështirë ishin pjesa më e madhe e shoqërisë. Askujt s’i bënte. Të dalësh në rrugë me çehre të mërzitur ishte si të bëje mëkat. Njerëzit e njihnin dëshpërimin tim veç duke më parë, e merrnin vesh intuitivisht. Dhe më duket, se kur depresioni po e bënte namin, kur forcat m’u shterrën, njerëzit më shmangnin. Prandaj, s’e besoj që ka shumë parazitë që ankohen aty jashtë, duke qenë se ankimi në vetvete kërkon goxha energji. Energji kërkon edhe thjesht të shtiresh se je mirë, ose t’i vësh maskë mërzisë.

Por, unë e mbaja veten gjallë. Çohesha në mëngjes çdo ditë të lume dhe i laja sytë. Imagjinoni! Kisha shpresë se diçka do të ndërronte. Por, nuk mbështetesha krejt te fati. Bëja përpjekje të mëdha që t’i ndërroja gjërat. Shkruaja në emër të tjetërkujt, i cili m’i jepte do pare. Dilja me ndonjë çerekshok a gjysmëshok që donte të më punësonte dikund. Shkoja në ligjërata të masterit. E mbaja veten. Pastaj, ndodhi që erdhi koha për ta paguar semestrin dhe nuk ia dola mbanë. E lashë krejt atë farë pune.

Ma merr mendja se parazitët e tjerë ankues kanë rrëfime larg më të tmerrshme. Dikush edhe nuk duron, ankohet. E qet të shkretën fjalë prej të shenjtës gojë. Statistikat thonë që janë 60 për qind e të rinjve kosovarë të papunë. Domethënë, 60 për qind e të rinjëve janë parazitë.

Ama, edhe si parazit mund të ruash dinjitetin. Ta zëmë, si ish parazit duke punuar në këtë portal, mua më erdhi një ofertë që të punoja për kryeministrin dhe të merrja rrogë tri herë më të lartë. E refuzova! Dhe, e marr të drejtën të krenohem për këtë gjë.

Por, pse Veseli mori guximin të bënte një fyerje aq të madhe?

Ai i druhet atij numri të madh. Atij i dhemb thjesht përfytyrimi i gjithë asaj ankese të tubuar bashkë, e që mund të shkaktojë pasoja edhe më të rënda elektorale në zgjedhjet që vijnë për partinë e tij. Ai është pjesë e një partie që e ka korruptuar skemën e prodhimit, që ka çelë universitete që nuk kualifikojnë, që e ka ndërtuar një klientelizëm që tashmë po i prek kufijtë e tij.

Duke qenë në grahmat e fundit të ekzistencës së saj, PDK-së s’i ka mbetur tjetër veç të moralizojë! Moralizimi është shprehje dobësie, jo tjetër!

Shpërndaje në: