Rrahmani: Viti 2021 ishte më i miri në karrierën time

Rrahmani: Viti 2021 ishte më i miri në karrierën time

Lojtari më i mirë kosovar në Evropë në vitin 2021 ishte padyshim mbrojtësi, Amir Rrahmani.

Kapiteni i kombëtares së Kosovës dhe lojtari i Napolit, Amir Rrahmani ka kaluar një vit fenomenal në aspektin personal, duke u bërë një nga lojtarët kyç të sukseseve të ekipit napoletan.

Tashmë, Amir Rrahmani është titullar i padiskutueshëm në formacionin e Luciano Spallettit dhe paraqitjet e tij me klubin e Napolit kanë bërë që ai të vlerësohet maksimalisht nga mediumet italiane.

Por, Rrahmani është vlerësuar edhe nga Federata e Futbollit të Kosovës, pasi është shpallur futbollisti më i mirë i vitit 2021 në manifestimin tradicional “Laureatët e Vitit”.

Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, kapiteni i Kombëtares së Kosovës dhe anëtari i klubit italian, Napoli, Amir Rrahmani ka potencuar se ky ishte viti i tij më i mirë në aspektin profesional në karrierën e tij.

“Po ka qenë një vit i suksesshëm në aspektin personal, besoj që është viti më i mirë në karrierën time deri tani, por gjithmonë ka vend për përmirësime”, tha fillimisht Amir Rrahmani.

Në dhjetor të vitit 2021 në Nyon të Zvicrës, Dardanët kanë mësuar kundërshtarët në Ligën e Kombeve, ku janë përfshirë në Grupin 2 të Ligës C, ku do të ballafaqohen me Greqinë,  Irlandën e Veriut, si dhe fituesin e ndeshjes Qipro-Estoni. Amir Rrahmani thekson se bashkë me lojtarët e Kosovës do të mundohen të shkruajnë historinë e futbollit të Kosovës.

“Po, tani fillojmë një cikël të ri të ndeshjeve me kombëtaren dhe e dimë që asnjë ndeshje nuk është e lehtë sot në futboll, por ne do të provojmë ta hapim një kapitull të ri dhe pse jo të arrijmë dhe të futemi në historinë e futbollit të Kosovës”, vazhdoi kapiteni i kombëtares.

Në fund, 27 vjeçari foli edhe për ekipin e tij, SSC Napoli ku tha se do të luftojnë deri në fund për t’u shpallur kampion, edhe pse është mjaft e vështirë.

“Besoj që deri në fund do të jemi në luftë për kreun e tabelës, është shumë e vështirë, janë shumë ndeshje – por shpresoj që në fund të jetë një tjetër vit i suksesshëm, pse jo më i suksesshëm se ky tani”, përfundoi Amir Rrahmani për ‘Blic Sport’.

Klubi i Napolit ndodhet në vendin e tretë në tabelë në Serie A me 39 pikë, tre pikë larg vendit të dytë, Milanit dhe shtatë pikë larg liderit, Inter. Amir Rrahmani ka bërë 17 paraqitje në Serie A në edicionin 2021/22, ku ka shënuar edhe dy gola me Napolin.

Ai në këtë edicion ka qenë në formacionin titullar të Napolit në 89% të rasteve. Në Europa League ai ka zhvilluar pesë paraqitje.

Vlen të potencohet se vlera e tij ka kapur shifrën e 22 milionë eurove, që është rekord për të që nga fillimi i karrierës e deri më sot.

Shpërndaje në: