Rrahja në futbollin shqiptar, Nwabueze e Carkanji e pësojnë keq
Java e fundit e Kategorisë Superiore prodhoi tension dhe grushte në duelin Bylis-Laçi. Një ndeshje që ka prodhuar gjithmonë rivalitet të fortë, teksa këtë radha u kalua masa. Sulmuesi i bardhezinjve, Kyrian Nwabueze u ndëshkua me karton të kuq për goditje me bërryl ndaj mbrojtësit Janku dhe më pas nisi një betejë e madhe në fushën e blertë.
Goditje, grushte dhe gjak. Vendasit iu turrën të gjithë bomberit amerikan, i cili veproi me të njëjtën mënyrë ndaj lojtarëve dhe stafit teknik të Bylis. Komisioni i Disiplinës është mbledhur ditën e sotme dhe ka marrë këto vendime në lidhje me aktorët e sherrit të madh. Kyrian Nwabueze është dënuar me 10 ndeshje pezullim për goditjet ndaj kundërshtarëve.
Po kaq ndeshje jashtë do të qëndrojë edhe Xhoi Carkanji, mbrojtësi i ekipit ballshiot, teksa zyrtari Ermal Hasimaj është dënuar me 9 ndeshje. Edhe pse pati edhe të tjerë persona të përshirë në sherr, Disiplina nuk ka dënuar asnjë prej tyre.
Vendimet e Komisionit të Disiplinës
1. Lojtari i KF Laçi, Nwabueze Kyrian Chinazorm, për sulm ndaj kundërshtarëve, në bazë të nenit 47/1/e të KDS, dënohet me 10 (dhjetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
2. Lojtari i KF Bylis, Xhoi Carkanji, për sulm ndaj kundërshtarëve, në bazë të nenit 47/1/e të KDS, dënohet me 10 (dhjetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
3. Zyrtari i KF Bylis, Ermal Hasimaj, për sulm ndaj kundërshtarëve, në bazë të nenit 47/2/b të KDS, dënohet me 9 (nëntë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
4. Shkëndija C.T U-19, për dështim në zhvillimin e ndeshjes së vlefshme për Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Parë U-19 Grupi A, kundër KS Korabi, në bazë të nenit 30.1 të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0.
5. Çeljen e hetimit disiplinor për ndeshjen e Kampionatit të Kategorisë së Dytë midis F.C Bulqiza dhe FK Tërbuni. Urdhërohet Sektori i Garave pranë FSHF për kryerjen e verifikimeve të nevojshme.
6. Rrëzimin e kërkesës së KF Sopoti, në lidhje me lojtarin Orgest Tanushi, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës Sportive.