Rozeta Hajdari po intervistohet në Prokurori për rezervat shtetërore
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, është parë mëngjesin e sotëm teksa po hynë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Front Online raporton se ministrja Hajdari është ftuar në Prokurori në lidhje me skandalin e rezervave shtetërore.
Në kohën e pandemisë, MINT dyshohet se kishte porositur me kontrata njëburimore disa mallra për rezervën shtetërore, megjithatë një sasi e madhe e tyre nuk kishte arritur.
Fjala ishte për miell, sheqer e vaj.
I përfshirë ishte edhe pronari i restaurantit ‘Bukë e Zemër’, Ridvan Muharremi.
Në audio-incizime, zyrtarët e MINT-it e konfirmonin se malli nuk kishte ardhur, dhe vlera ishte mijëra euro.
Prokuroria Speciale kishte ndërmarrë aksion duke arrestuar tre persona.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës – Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka realizuar sot bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku kanë arrestuar tre (3) persona me inicialet R.M. H.G dhe I.L.
“Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se tre personat e arrestuar, R.M. H.G dhe I.L. dyshohen për veprat ‘’Keqpërdorim i detyrës zyrtare’’, si dhe ‘’Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.” – thuhet ndër të tjera në njoftim.
Pasi të tre personave i ishte caktuar paraburgimi, Gjykata e Apelit e anuloi vendimin dhe i la në liri personat e arrestuar.