Ronaldo pas lotëve: Kurrë nuk do të dëgjoni për dorëzim nga unë
Cristiano Ronaldo ka reaguar për lotët gjatë ndeshjes së Portugalisë kundër Sllovenisë në Euro 2024 dhe shënimit të penalltisë në fund. I ka quajtur “momente të pashpjegueshme”.
Ronaldo ishte në rolin negativ pasi humbi sërë shanse dhe penalltinë gjatë lojës shtesë dhe serisë pa gola deri tash në Kampionat. 39-vjeçari shpërtheu në lot në mes të dy pjesëve të vazhdimeve dhe u ngushëllua nga bashkëlojtarët. Megjithatë, pas vazhdimeve ai e shënoi penalltinë e parë teksa Diogo Costa i priti të tri penalltitë e sllovenëve dhe Portugalia fitoi 3:0 për të kaluar në çerekfinale.
“Edhe njerëzit më të fortë kanë ditë të këqija”, u ka thënë Ronaldo gazetarëve pas ndeshjes të hënën. “Isha krejt në fund, kur skuadra kishte nevojë për mua më së shumti. Isha i mërzitur fillimisht, por tani jam i lumtur. Ky është futbolli. Momente të pashpjegueshme”.
I pyetur për shpërthimin emocional gjatë ndeshjes, Ronaldo ka thënë se këto momente i përjeton kur mendon për familjen.
“Kur mendoj për familjen time, emocionohem sepse janë momente unike që nuk mund t’i shpjegoj me fjalë. Janë njerëzit që i dua, fansat që kanë qenë gjithmonë ne dhe sidomos me mua, dhe jam shumë i lumtur për këtë. Nuk e kam humbur asnjë penallti gjithë vitin. Në atë moment e humba, por gjëja më e rëndësishme ishte se ekipi fitoi. Kam shënuar dy herë në penallti këtë sezon dhe fitova të tretën… E kemi merituar kualifikimin”, ka thënë ai.
“Gjithmonë do të jap më të mirën që mundem për këtë fanellë, qoftë nëse dështoj ose jo, por duhet të marr përgjegjësinë kur ekipi ka nevojë. Nuk jam frikësuar kurrë të përballem. Nganjëherë i bëj gjërat si duhet, nganjëherë jo, por për dorëzim s’mund të dëgjoni kurrë nga unë”, ka thënë 39-vjeçari.
Portugalia do të luajë në çerekfinale me Francën, që fitoi ndaj Belgjikës. Çerekfinalja do të luhet të premten në Hamburg.
Përzgjedhësi i Portugalisë, Roberto Martinez, e ka lavdëruar Ronaldon pasi Jan Oblak ia priti penalltinë në vazhdime.
“Isha i sigurt se do të gjuante i pari dhe na hapi rrugën drejt fitores”, ka thënë ai.