Ronaldo mori afër 1 milion euro bonus para se të kërkonte largimin nga Man Utd
E ardhmja e Cristiano Ronaldos është e paqartë, për të dytën verë radhazi. Vetëm një vit pas kthimit në Manchester United, ai ka kërkuar të largohet nga klubi. Por jo përpara se të merrte një bonus gjashtëshifror.
Dështimi i Manchester United për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve e ka lënë sulmuesin të eksplorojë opsione të tjera, edhe pse klubi i Premier League heziton të shesë.
The Sun ka raportuar se bonusi është marrë para se të shpallte vendimin e tij për t’u larguar.
“Të gjitha kontratat u rinovuan në fillim të korrikut, dhe më pas doli lajmi se ai donte të largohej”, tha një burim i Sun.
“Ai nuk ka bërë asgjë të keqe, por disa njerëz nuk mendojnë se është rastësi që ai nuk e ka treguar më herët dëshirën e tij për t’u larguar”.
Është vërtetuar se pagesa nuk ishte një bonus besnikërie dhe ai nuk është i detyruar si rezultat i pranimit të shumës për të përmbushur vitin e dytë të kontratës së tij.
Përkundrazi, lidhet me të drejtat e imazhit dhe për arritjen e disa prej objektivave të tij të sezonit të parë.
Ndonëse nuk konfirmohet, është raportuar një shumë prej 900,000 euro.
Chelsea thuhet se është i interesuar të marrë Ronaldon në Stamford Bridge, ku ai mund të luajë në Ligën e Kampionëve.
Bayern Munich dhe Paris Saint-Germain janë gjithashtu të lidhur, por të parët janë distancuar.