Ronaldo largohet nga Anglia, e nxjerr në shitje vilën e tij në Manchester
Nëntorin e kaluar, para se Cristiano Ronaldo të niste grumbullimin me Portugalinë për Botërorin “Katar 2022”, dha intervistën e famshme me gazetarin e njohur Pierce Morgan, duke paralajmëruar largimin nga Manchester United, ku nuk u kthye as pas përfundimit të Botërorit.
CR7 në ditët e para të janarit zyrtarizoi transferimin në Arabinë Saudite të Al Nassr.
Ylli portugez, tashmë 38-vjeçar, mësohet se ka nxjerrë në shitje shtëpinë ku jetonte në Angli, më saktë në Cheshire.
Një rezidencë autentike, e cila ka shtatë dhoma gjumi, gjashtë tualete, një palestër të teknologjisë së lartë, pishinë, xhakuzi, një dhomë kinemaje dhe madje edhe një oborr ku kishte instaluar një fushë padeli, transmeton tch.
Sipas gazetës britanike “The Sun”, shtëpia (kishte një sipërfaqe toke prej 10 hektarësh) tani është në shitje për 5.5 milionë funte (rreth 6.1 milionë euro).
Ajo është cilësuar si “një kryevepër në dizajnin modern”.