Roma ia siguron De Rossit blerjen e parë
Sky Sport Italia raporton se anësori i RB Leipzig, Angeliño, aktualisht i huazuar te Galatasaray, ka rënë dakord për kushtet personale me Romën përpara një transferimi të mundshëm në janar.
Angeliño aktualisht është në huazim te Galatasaray, por pritet të largohet nga klubi turk në orët në vijim, përcjellë KosovaPress.
Eksperti i transferimeve të Sky Sport Italia, Gianluca Di Marzio pretendon se spanjolli ka rënë dakord për kushtet personale me skuadrën e Serie A përpara një huazimi fillestar me një opsion të blerjes.
Angeliño ka bërë 19 paraqitje me Galatasaray këtë sezon dhe skuadra turke do të duhet të aktivizojë një opsion për të blerë për 6 milionë euro pas ndeshjes së ardhshme të 27-vjeçarit për klubin.
Roma dhe RB Leipzig raportohet se janë në bisedime të avancuara, kështu që Angeliño së shpejti mund të zbarkojë në kryeqytetin italian.
Torino, Marseille dhe Villarreal gjithashtu janë lidhur me ish-anësorin e Manchester Cityt, por “Giallorossët” tani po udhëheqin garën për nënshkrimin e spanjollit.
Roma do të përballet me Salernitanën në Stadio Arechi të hënën mbrëma dhe do të takohet me skuadrën saudite Al-Shabab në një miqësore në Riad sot.