Qeveria i përgjigjet ambasadorit gjerman: Kosova ka zgjidhje kompromisi, Serbia po kushtëzon
Gjatë ditës së enjte, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde u shpreh se emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, nuk ka arritur ta bindë kryeministrin Albin Kurti për kompromis për CEFTA-n.
E kësaj deklarate i është përgjigjur këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj.
Në reagimin e tij në rrjetin social “Facebook”, Zulfaj ka thënë se pas tre vitesh bllokadë të Serbisë brenda CEFTA-s, ka një zgjidhje kompromisi.
Teksa ka shtuar se Serbia e ka kushtëzuar zgjidhjen me heqjen e masave nga Kosova.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është takuar sot me Përfaqësuesin Special të Gjermanisë, Manuel Sarrazin për të diskutuar mbi mundësitë e zhbllokimit të vendimmarrjes në CEFTA. Pas tre vitesh bllokadë të Serbisë brenda CEFTA-s, kemi një zgjidhje kompromisi. Serbia tash e ka kushtëzuar këtë zgjidhje me heqjen e masave të sigurisë së Kosovës në pikat kufitare me Serbinë. Këto dy çështje nuk janë të ndërlidhura. Masat e Kosovës nuk kanë të bëjnë me tregtinë, por rrjedhin nga kërcënimet ndaj sigurisë së shtetit tonë. Ato nuk janë marrë nga Ministria e Tregtisë, por nga autoritetet tona të sigurisë. Kosova është shteti më proaktiv në Procesin e Berlinit dhe Kryeministri Kurti ka promovuar vazhdimisht integrimin e mëtejmë të rajonit,” ka shkruar Zulfaj.
Ndryshe, Rohde tha se nëse është e nevojshme, shtetet e tjera do të vazhdojnë pa Kosovën në marrëveshjen e BE-së për lehtësimin e këmbimeve tregtare për vendet e rajonit.