Rohde për CEFTA: Kemi punuar shumë për ta bërë Procesin e Berlinit një sukses për Kosovën dhe gjithë rajonin
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë e ka shënuar Ditën e Unitetit Gjerman. Me këtë rast është organizuar pritje, ku morën pjesë bartës të institucioneve, deputetë të Kuvendit të Kosovës nga të gjitha subjektet politike, ambasadorë të akredituar në Kosovë e mysafirë të tjerë.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në adresimin e tij para të pranishmëve ka thënë se po punojnë shumë që samiti i radhës i Procesit të Berlinit të jetë një sukses për Kosovën dhe të gjithë rajonin.
Ambasadori tha se fokusi mbetet në funksionalizimin e plotë të CEFTA-s.
“Derisa po flasim që Procesi i Berlinit feston 10-vjetorin e tij, ne kemi punuar shumë për ta bërë samitin e ardhshëm më 14 tetor një sukses për Kosovën dhe gjithë rajonin, duke u fokusuar në funksionalizimin e plotë të CEFTA-s dhe mundësimin e tregtisë së vërtetë të lirë në rajon”, tha Rohde. /RTK