Rohde në 25 vjetorin e çlirimit: Kosova është histori suksesi
Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, ka vlerësuar se 25 vjet pas çlirimit, Kosova është histori suksesi e perëndimit.
Rohde, në “X”, ka shkruar se Gjermania mbetet një ndër partneret më të afërta të Kosovës.
“Sot para 25 vitesh filloi misioni i KFOR-it të NATO-s. Për ta cituar ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Lord Robertson ‘Qëllimi ishte largimi i forcave të Millosheviqit, hyrja e NATO-s dhe kthimi i refugjatëve’. Misioni u krye. Kosova deklaroi Pavarësinë në vitin 2008 dhe është një histori suksesi. Gjermania është dhe mbetet ndër partnerët më të afërt të Kosovës”, ka shkruar ai.
Ndryshe, sot [e mërkurë] më 12 qershor, Kosova shënon 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit.
Çerekshekulli më parë, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas bombardimeve kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi. Në 25-vjetor, do të ketë disa ceremoni, ndër të cilat edhe parakalimi i Forcës së Sigurisë dhe Policisë së Kosovës në shesh.
Sulmet mbi infrastrukturën serbe nisën më 24 mars dhe zgjatën deri më 10 qershor 1999. Gjatë fushatës 78-ditore, aeroplanët nga 13 shtete anëtare të NATO-s i bënë 38 mijë e 400 fluturime, nga të cilat në 10 mijë e 484 fluturime u bënë bombardime. Nga ajri ishin hedhur gjithsej 26 mijë e 614 projektilë.
Fushata e bombardimeve ajrore ndaj Jugosllavisë u bë për ndaljen e fushatës serbe për spastrim etnik të shqiptarëve në Kosovë.