Rohde: Kosova mund t’i kursejë deri në 55 milionë euro në vit me anëtarësim në SEPA
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se Kosova mund të kursejë deri në 55 milionë euro në vit duke iu bashkuar Tregut Unik të Pagesave në Euro (SEPA).
Nga anëtarësimi i Kosovës në SEPA, Rohde ka thënë se përfiton diaspora, pranuesit e remitencave por edhe partnerët tregtarë, duke shtuar se kështu forcohet edhe ekonomia e vendit.
“Arritja e kësaj kërkon më shumë integrim ekonomik me rajonin dhe Bashkimin Evropian”, ka shkruar Rohde.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar se Kosova po vijon intensivisht punën për anëtarësim në SEPA.
Ai nënvizoi punën që po zhvillohet në lidhje me miratimin e tri ligjeve të domosdoshme siç është ligji për bankat, ligji për shërbimet e pagesave dhe ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.
“Gjithashtu, zëvendëskryeministri theksoi se edhe Banka Qendrore e Kosovës ka draftuar 20 rregullore që ndërlidhen me SEPA, të cilat pritet të kalojnë për miratim pas aprovimit të këtyre ligjeve në Kuvendin e Republikës. Zëvendëskryeministri tha se avancimi drejt integrimit në SEPA është një hap i rëndësishëm tutje në kuadër edhe të përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian dhe anëtarësimit në familjen evropiane”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.