Rohde: Gjermania e përkushtuar për mbështetjen e KFOR-it, kemi rritur kontingjentin

Rohde: Gjermania e përkushtuar për mbështetjen e KFOR-it, kemi rritur kontingjentin

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka uruar komandantin e ri të KFOR-it, Gjeneralmajor Enrico Barduani, pasi ky i fundit sot pranoi zyrtarisht detyrën.

Përmes një postimi, Rohde ka falënderuar Gjeneralmajorin Őzkan Ulutaş, për shërbimin e tij të jashtëzakonshëm si komandant.

“Gjermania mbetet e përkushtuar për të mbështetur KFOR-in dhe zbatimin e misionit të tij, siç riafirmohet nga rritja jonë e fundit e ndjeshme me kontingjent” shkroi Rohde.

Barduani arriti në Kosovë një javë më parë, raporton IndeksOnline, ndërkaq detyrën si komandant e pranoi sot nga paraardhësi i tij, Gjeneralmajor Ulutaş.

Ceremonia e pranim-dorëzimit të detyrës u mbajt në selinë e KFOR-it në Camp Film City, në Prishtinë.

Në njoftimin zyrtar të KFOR-it thuhet:

“Gjeneralmajor Őzkan Ulutaş, nga Turqia, ia dorëzoi komandën e misionit të KFOR-it të drejtuar nga NATO, gjeneralmajor Enrico Barduani nga Italia, në një ceremoni të mbajtur sot (11 tetor 2024) në selinë e KFOR-it, në Camp Film City, në Prishtinë.

I pranishëm ishte edhe Admirali Stuart B. Munsch, Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli (Itali), së bashku me përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe të Komunitetit Ndërkombëtar. Gjeneralmajor Barduani merr komandën e misionit për një mandat një vjeçar.”

Barduani është gjeneralmajori i 14-të italian që drejton misionin e NATO-s në Kosovë.

 

Shpërndaje në: