River Plate fiton titullin e 37-të tre javë para fundit të sezonit
River Plate meriton duartrokitje. Me 52 pikë të grumbulluara në 22 javë, Los Millinarios fituan zyrtarisht titullin 37-të kampion në Argjentinë tre javë para fundit të sezonit.
Për të ngritur trofeun në vitin e 120-vjetorit të themelimit të klubit para tifozerisë së tyre, River Plate ia doli të mposhte me rezultatin e thellë 4-0 Racing Club në stadiumin Monumental në Buenos Aires.
Një ndeshje e dominuar që në fillim nga skuadra e Marcelo Gallardos që ka zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm në Argjentinë për meritë edhe të Julian Alavarez talentit që po çmend klubet e mëdha të Europës dhe që ndaj Racing Club shënoi golin e tij të 17-të në kampionat ku numëron edhe 5 asiste.
Për t’u kthyer te sfida ndaj klubit nga Avellaneda, Palavecino zhbllokoi shifrat për Riverin me mesfushorin që realizoi golin e avantazhit në minutën e 32-të.
Fillimi i pjesës së dytë solli edhe golin e dyfishimit që mban firmën e Julian Alavarez ndërkohë që sulmuesi tjetër Braian Romero shënoi dy herë në harkun e 10 minutave nga e 68-ta në të 78-ën duke kompeltuar pokerin e skuadrës së Marcelo Gallardos.
Në një sezon ku rivalët e Boca Juniors por edhe ekipet me më shumë emër në Argjentinë si Estudiantes, Independiente, Lanus, Racing Club e San Lorenzo kanë pasur shumë luhatje në rezultate, River Plate nuk kishte rivalë aq sa ndjekësit më të afërt për momentin janë Defensa Justicia dhe Talleres Cordoba.
Në përfundim të sfidës ndaj Racing, Los Millinarios morën në duar edhe trofeun e kampionët duke festuar me tifozët e tyre titullin numër 37-të.