Rilindja e Njeriut më 1 Tetor 1997
Nga Albin Kurti
Me plot të drejtë thuhet se një ndër qëllimet e drejtësisë është edhe restaurimi i dinjitetit. Para pesë viteve, në Kosovën e robëruar e të shtypur jo vetëm që s’bëhej fjalë për drejtësi, por ajo ishte bërë një shembull i padrejtësisë më të madhe në truallin e Evropës.
Mirëpo, përkundër kësaj, atëbotë në këtë ditë të sotme, pra më 1 Tetor, qytetari i Kosovës ndjehej krenar dhe nuk turpërohej. Atij i ishte kthyer dinjiteti, i ishte kthyer gjëja më e rëndësishme e cila e bën njeriun të dallohet nga gjësendet që e rrethojnë.
Pas jo pak viteve të një heshtjeje absurde në Kosovë kishte rilindur Njeriu në tërë shkëlqimin dhe madhështinë e tij.
Rilindi Njeriu i cili realizohej duke tejkaluar veten. Ai tani mendonte se çka mund të fitojë e jo se çka mund të humbasë, mendonte se si mundet më mirë e jo se si mundet më keq. Ky Njeri dëshmoi se realiteti është përherë realitet njerëzor, dhe se njerëzit e përbëjnë realitetin duke e bërë atë. Njeriu i rilindur më 1 Tetor ishte studenti shqiptar i UP-së. Ishte ky Njeriu i Lëvizjes Studentore.
Ky Njeri i rilindur ishte i gatshëm ta zhbëjë veten e tij për ta bërë botën rreth tij. Ai e ndau në dysh dekadën e fundit të shekullit të kaluar. Ai bëri që të flitet për kohën para dhe pas 1 Tetorit të vitit 1997, periudha këto të cilat qëndronin në një relacion ashtu siç qëndrojnë dëshira dhe vullneti: dëshira si gjendje pasive dhe vullneti si fenomen aktiv në kuptim utilitarist. Dëshira është pritje ndërkaq vullneti është vetëbesim. E kur njeriu ka vetëbesim ai nuk pret më. Mbijetesa për të bëhet e pamjaftueshme. Ai don të jetojë!
Më 1 Tetor 1997 rilindja e Njeriut u shfaq nëpër qytetet anembanë Kosovës të cilat ishin vërshuar nga lumenjtë e bardhë, që marshonin të qetë e dinjtoz. Ata lumenj i përbënin 23.000 studentët dhe mësimdhënësit e UP-së që e kishin gjetur veten duke kërkuar lirinë e tyre, duke kërkuar lirimin e pakusht të objekteve dhe të hapsirës së okupuar universitare. Natyra e artikulimit të kërkesave ishte jodhuna, e cila e zbuloi atë që nuk ishte e fshehur: dhunën mizore të regjimit e shtetit serb.
Këta lumenj studentorë nuk përfillën kënetat e politikës kosovare e cila në vend se të mësonte nga studentët i pengonte ata. Ata nuk e pranonin porosinë e studentëve: “Merrni frymë sikur ne!” Prandaj nuk merrnin frymë dhe prandaj po vdisnin. Ndërsa studentët përfundimisht perceptonin ndryshe dhe mënyra se si perceptonin ata përcaktonte mënyrën e tyre të ekzistencës.
Ata kishin trashëguar një gjendje shkak i së cilës nuk ishin por kjo s’do të thoshte që ata të mos bëheshin shkak i ndryshimit të saj. Studentët ndjenin përgjegjësi sepse ishin të ndërgjegjshëm për mundësitë që kishin.
Përmes këtyre mundësive ata donin t’i zgjidhnin problemet duke u ballafaquar me to e jo ti evitonin ato duke i injoruar. Ata nuk jetonin në të kaluarën duke u bërë nostalgjikë e as në të ardhmen duke shpresuar. Por, jetonin fuqishëm dhe thellë në të tashmen duke u shndërruar në vet aktin e ballafaqimit të tyre me vështirësitë e mëdha të cilat çdo herë i trajtonin si sfidë e kurrsesi si barrierë. Kështu kjo Lëvizje Studentore arriti të bëhej faktor, sepse ishte në gjendje ta ndryshonte gjendjen. Ajo determinonte zhvillimet për shkak se nuk besonte në kurrfarë determinizmi politik.
Studentët e UP-së të organizuar në Lëvizje Studentore përmes UPSUP-së nuk shfajësoheshin për veprimet e tyre sikurse politikanët për mosveprimet e tyre. Ata justifikonin veprimet e tyre. Dhe duke e rrezikuar jetën e tyre u bënë të rrezikshëm për armikun. Studentët ishin studentë sepse ata u bënë të tillë. Mendja dhe guximi të mishëruara në studentin kosovar u bënë një.
Megjithatë, në këtë lëvizje studentët nuk ishin vetëm. Ata u përkrahën fuqishëm nga populli i shumëvuajtur por edhe e shpëtuan këtë popull i cili ishte lodhur nga pasiviteti.
Njëkohësisht, nuk mund të mendohet jo vetëm për 1 Tetorin por as për protestat e tjera dhe lëvizjen studentore në tërësi pa menduar për rektorin e atëhershëm të UP-së prof. Ejup Statovcin; nuk mund t’i kujtosh ato pa përftyruar atë. Ai ishte gjithnjë dhe gjithmonë me studentët në protestë dhe përherë në ballë të universitetit të cilin e zhvilloi me përkushtim e udhëhoqi me vigjilencë dhe e përfaqësoi me dinjitet e krenari. Duke ju falenderuar kontributit të tij të jashtëzakonshëm UP në vitet e ’90-ta ishte i vetmi institucion i vërtetë i Republikës së okupuar të Kosovës. Prof. Ejup Statovci, padyshim, është intelektuali më i madh i të gjitha kohërave që ka pasur Universiteti i Prishtinës.
Lëvizja studentore e fundshekullit të kaluar nuk është historikisht fenomen i izoluar. Ajo është intensifikim i përpjekjeve të popullit në vazhdimësinë e tyre për lirinë dhe të drejtat e patjetërsueshme. Madje mu kjo vazhdimësi është kuptimi i saj.
Mbi të gjitha, rëndësia e madhe e Lëvizjes Studentore është se ajo nuk është korrur aty ku është mbjellur. Ajo e ka shpejtuar procesin drejt lirisë i cili edhe sot e kësaj dite ende nuk ka përfunduar. Në veriun e okupuar të Kosovës vazhdon të jetë i okupuar objekti i FXM-së, prandaj, rrëfimi për Lëvizjen Studentore nuk është rrëfim se si përmbushet qëllimi por para së gjithash se si duhet të synohet ai.
Njeriu i rilindur më 1 Tetor 1997, kishte ëndrra por ai nuk ëndërronte. Kjo është krejt ajo që i duhet njeriut në jetë: ëndrrat pa ëndërrim.
(Shkruar në vitin 2002)