“Rikthejuni bashkëpunimit…”, Albin Kurti në vitin e fundit të qeverisjes nuk i ndalë lëvizjet e pakoordinuara, aleati më i madh i Kosovës reagon ashpër

“Rikthejuni bashkëpunimit…”, Albin Kurti në vitin e fundit të qeverisjes nuk i ndalë lëvizjet e pakoordinuara, aleati më i madh i Kosovës reagon ashpër

Qeveria e Kosovës ka vazhduar zbatimin e planit për hapjen e urës mbi lumin Ibër pavarësisht kundërshtimit e thirrjes së SHBA-së dhe BE-së që mos ta bëjë këtë. Për pasojat e veprimeve të pakoordinuara është paralajmëruar nga Washingtoni. Nga kjo mospërfillje e Kurtit ndaj nërkombëtarëve, e sidomos ndaj aleatit kryesorë, që është SHBA, po rrezikohet rruga e mundësive të reja për Kosovën, shkruan Periskopi.

Në një konferencë të mërkurën, Matthew Miller, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të ShBA-së, ka paralajmëruar se veprimet e fundit të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës mund të rrezikojnë mundësitë që vendi ka krijuar me ndihmën e ShBA-së.

Ky ishte një mesazh i qartë për kryeministrin Kurti.

“Jemi të shqetësuar me vendimet e vazhdueshme të pakoordinuara nga lidershipi i Kosovës. Ne besojmë se ato i rrezikojnë mundësitë të cilat e ndihmuam Kosovën që t’i krijojë”, tha Miller.

Edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke folur ditë më parë për rihapjen e Urës së Ibrit për qarkullim, ka thënë se çdo hap dhe veprim duhet të bëhet në kuadër të dialogut të Brukselit.

E, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, para mediave pas takimit të javës së kaluar me Kurtin pati deklaruar se shtetet e QUINT-it në konsultim me NATO-n, nuk e përkrahin asnjë ndërrim të statusit të urës së Ibrit.

“Shtetet e QUINT-it, në konsultim me NATO-n, nuk e përkrahim asnjë ndërrim të statusit të urës se Ibrit”, pati thënë Hovenier.

Ndërsa, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se çështja e urës së Ibrit nuk duhet assesi të jetë temë e dialogut me Serbinë, duke thënë se kjo do të ishte shkelje e sovranitetit, integritetit territorial dhe kushtetutshmërisë së Kosovës.

Osmani i reagoi Bashkimit Evropian, që të enjten javës së kaluar (1 gusht) u shpreh se çështja e hapjes së urës duhet të trajtohet në dialogun në Bruksel me Kosovës dhe Serbisë.

Ajo ka thënë se presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, nuk ka çka pyetet “se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës”.

E gjithë kjo zhurmë për Urën e Ibrit, ish diplomati, Avni Arifi ka thënë për Periskopin të mërkurën, po bëhet pasi që Vetëvendosja dëshiron të ketë avancim politik në zgjedhje.

Ndërkoë, ai kërkoi nga Presidentja të flasë ashtu sic bën nëpër forume ndërkombëtare, dhe të veprojë në mënyrë të duhur.

“Presidentja duhet të flas dhe duhet të veproj konform retorikes që përdorë në cdo forum vendor e ndërkombetarë. Nuk mundesh të thirresh në Rugovizëm, e të flasesh për afërsinë e Kosovës me vlera perëndimore kurse në praktikë të rreshtohesh prapa militantëve të VV-së si me qenë notere e tyre. Presidentja duhet të percaktohet”, u shpreh ai.

Ndërsa,  Ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati ka thënë se kundërshtimi i KFOR-it nga ana e qeverisë për hapjen e Urës së Ibrit mund të jetë për motive politike e populliste.

“Ajo që kish me qenë më komprementuese kishte me qenë veprimi i njëanshëm dhe pastaj tërheqja sic ka ndodh me rastin e tabelave qe të veprohet me cdo kusht, edhe pse nuk është e sigurt se a lejohet, sepse KFOR-i mund të ndërhyjë dhe mos të lejojë fare ta bëjnë dicka të tillë, por në kundërshtim me KFOR-in dhe nëse ndodh rritja e tensionit është edhe më komprementuese, nuk është qeverisë që nuk i din këto, por nëse përkundër kësaj vepron, atëherë prapa kësaj mund të jetë vetëm motive politike, përfituese, populliste”, u shpreh ish ministri.

Kurse, sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka aluduar se vendimi për hapjen e Urës së Ibrit duhet të bëhet bashkë me aleatë.

“Urat që i duhen Kosovës janë urat me SHBA, BE, NATO”, ka shkruar ajo.

Më tej, hapjen e urës ajo e ka parë si një simbolikë, teksa ka bërë thirrje që të ketë më shumë gjëra përmbajtësore.

Disa serbë protestuan të mërkurën në Mitrovicë të Veriut për të kundërshtuar hapjen e urës mbi Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut, të banuar me shqiptarë, dhe atë të Veriut, të banuar me shumicë serbe.

Qeveria e Kurtit, në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Megjithatë, vendet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky mision ka përsëritur se nuk do të ngurrojë të ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për t’i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal./Periskopi

 

 

Shpërndaje në: