Rikthehet rasti i Loredanës, reperja merret në pyetje nga prokurori publik në Zvicër

Rikthehet rasti i Loredanës, reperja merret në pyetje nga prokurori publik në Zvicër

Reperja kosovare, Loredana Zefi është rikthyer bashkë me temën e skandalit që bëri bujë të madhe vitin e kaluar. Ajo dje është marrë në pyetje në zyrën e prokurorit publik në Luzern të Zvicrës, raporton Gazeta Sinjali.

Loredana u shfaq në Prokurorinë e Luzernit në një veturë me targa gjermane, e shoqëruar nga dy truproja.

Para se të hynte në ndërtesë për t’iu përgjigjur pyetjeve të hetuesve, ajo u përshëndet avokatin e saj Thomas Fingerhuth, me të cilin e ndezën nga një cigare, transmeton Gazeta Sinjali.

Pa asnjë shenjë paniku, ajo duket e qetë nga fotografitë e shkrepura nga Blick, pavarësisht se prokuroria po e heton për mashtrim, kërcënim dhe zhvatje.

Rasti i bujshëm që e përfshin Loredanën në këtë skandal filloi para 4 vitesh, në qershor 2016. Në atë kohë, zvicerania Petra Z. ishte takuar me vëllain e madh të Loredanës. Ai e bindi gruan nga Valais për t’ia dhënë atij një total prej 200,000 franga për “nënën e sëmurë”. Kur Petra Z. kërkoi t’i ktheheshin paratë, ndërhyri reperja.

Petra Z. dhe burri i saj Hans Z. e akuzojnë Loredanën se ajo dhe vëllezërit e saj ua morën atyre rreth 700,000 franga. Rasti u zbulua një vit më parë. Shtëpia e reperes ishte bastisur majin e kaluar. Loredana u arrestua, u mor në pyetje dhe u la e lirë. Prokuroria filloi një hetim me dyshimin për mashtrim, kërcënim dhe zhvatje.

Loredana ishte prezantuar si avokate me emrin Anna Landmann, duke i ofruar ndihmë çiftit që t’i kthejnë paratë e tyre. Si rezultat, ajo dyshohet se ua vodhi atyre qindra mijëra franga për tarifat e avokatisë.

Seancat dëgjimore për këtë rast ishin planifikuar të zhvilloheshin në shkurt dhe prill, por u shtynë për 18 dhe 22 qershor për arsye të ndryshme.

Nëse akuzat për Loredanën vërtetohen, ajo, përveç tjerash, mund të dëbohet nga Zvicra. Sidoqoftë, prezumimi i pafajësisë vlen ende për të.

Shpërndaje në: