Rezultat i pabesueshëm në Superligë – Hajvalia fiton me rezultatin 29:0
“Superligë” quhet gara elitare e Kosovës në futboll për femra. Por rezultatet në këtë ligë vetëm për Superligë nuk janë të denja.
Një rezultat i pabesueshëm u regjistrua të dielën. Klubi kampion, EP Hajvalia, fitoi 29:0 ndaj KFF Jakova.
Madje Jakova ishte vendase. Rezultati më shumë se për dominimin e plotë të Hajvalisë dhe turpërimin e plotë të Jakovës, dëshmon për gjendjen e rëndë në ligën e futbollit për vajza.
Edhe në vjeshtë ka pasur rezultate të tilla të pabesueshme, ndërsa gjendja e njëjtë po vazhdon edhe në pranverë.
“E kemi rinisur në mënyrën më të mirë kampionatin e Kosovës në futboll. Në ndeshjen e parë të këtij stinori kemi shënuar fitore të thellë në udhëtim ndaj KFF Jakovës, 29:0. Në këtë takim kanë shkëlqyer Flondra Behrami me tetë gola, Albulena Guri me shtatë gola dhe Qëndresa Krasniqi me gjashtë gola”, ka njoftuar EP Hajvalia.
Bahtije Miftari, Lumbardha Misini, Verona Berisha, Fatlinda Rama dhe Erestina Selimi po ashtu shënuan gola për Hajvalinë. 19:0, 10:1, 25:0, 32:0, 10:0, 14:1, 11:1, 11:0, 20:1, 14:3, 19:0 ishin rezultatet tjera turpëruese të këtij edicioni. Thuajse në të gjitha këto ndeshje u paraqit Jakova. Kjo skuadër ka humbur të gjitha ndeshjet e deritashme. Ka shënuar tetë gola, ndërsa ka pranuar gati 200.
Në ndeshjet tjera të javës së parë të stinorit pranveror, rezultatet ishin më të përafërta. Mitrovica fitoi 7:1 ndaj Llapit. Kosova VR fitoi 3:1 ndaj Bazeli 2015, ndërsa Dukagjini e mposhti Malishevën me 2:0.
Në asnjë ligë kosovare nuk është dallimi i madh mes skuadrave si në Superligën e futbollisteve. Deri në fund të edicionit mund të ketë rezultate tjera të pabesueshme. /Koha/