“Reuters”: Zelensky e shtyn vizitën në Arabinë Saudite për të mos e legjitimuar takimin ShBA – Rusi

“Reuters”: Zelensky e shtyn vizitën në Arabinë Saudite për të mos e legjitimuar takimin ShBA – Rusi

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e shtyu vizitën e tij në Arabinë Saudite me qëllim që të mos i japë “legjitimitet” takimit të së martës mes zyrtarëve amerikanë e rusë në Riad, i kanë thënë agjencisë së lajmeve “Reuters” dy burime me njohuri rreth çështjes.

Duke folur më herët të martën në Turqi, Zelensky tha se ai e kishte shtyrë vizitën e tij në Arabinë Saudite, e cila fillimisht ishte planifikuar për të mërkurën, deri më 10 mars, duke thënë se nuk dëshiron ndonjë “koincidencë”, raporton agjencia “Reuters”.

“(Ukraina) nuk deshi të dukej sikur po i jep ndonjë legjitimitet çfarëdo gjëje që ndodhi në Riad” – tha njëri nga burimet.

Zelensky tha gjatë vizitës në Turqi se nuk ishte ftuar në takimin e së martës mes delegacioneve të larta të ShBA-së e Rusisë, ku u përfshinë kryediplomatët e të dyja vendeve. Uashingtoni dhe Moska thanë pas bisedimeve se ishin pajtuar për t’i vazhduar përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Ne duam që askush të mos vendosë asgjë prapa shpinës sonë… Asnjë vendim nuk mund të merret pa Ukrainën për atë se si t’i jepet fund luftës në Ukrainë” – tha Zelensky, transmeton Nacionale.

Presidenti amerikan, Donald Trump, në mënyrë të përsëritur është zotuar për t’i dhënë fund shpejt luftës. Ai tha pas bisedimeve ShBA – Rusi se është “i zhgënjyer” me reagimin e Ukrainës dhe se ky shtet ka mundur të bënte marrëveshje më herët.

Sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Pete Hegseth, u tha aleatëve të NATO-s javën e kaluar se është joreale që Ukraina të bëhet pjesë e aleancës si pjesë e një zgjidhjeje të negociuar me Rusinë dhe se shpresa e Kievit për ta rikthyer kufirin e njohur ndërkombëtarisht është “qëllim iluzionar”.

Javën e kaluar, Trumpi zhvilloi biseda të ndara telefonike me presidentët e Zelenskyn dhe Putinin, duke ngritur shqetësime në mesin e aleatëve evropianë të Kievit se ata mund të përjashtohen nga procesi i paqes.

Shpërndaje në: