Restaurimi i Hamamit të Madh në Prishtinë mbetet pezull në pritje të ndihmës belge
Nuk janë mbajtur as debatet publike me qytetarë për të marrë propozimet për ridestinimin e monumentit pesëshekullor, që ishin përmendur qysh në shtator të 2016-ës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Regjioni i Valonisë në Belgjikë qe zotuar ta përkrahë Komunën e Prishtinës në kuadër të binjakëzimit mes kësaj komune dhe Komunës së Namurit në këtë regjion, i njohur për qytete mesjetare e arkitekturë të Renesancës. Janë përmendur 350 mijë euro mjete financiare dhe sjellja e ekspertëve nga Belgjika. E Komuna e Prishtinës sivjet ka ndarë 200 mijë euro për restaurimin e objekteve të trashëgimisë.
Zyra për Media e Komunës së Prishtinës derisa ka konfirmuar se punimet nuk kanë nisur ende, duke përsëritur përgjigjet e njëjta që ia kishte dhënë gazetës në shtator të vitit të kaluar. “Historia” e restaurimit të Hamamit ka një dekadë që ka nisur. Janë shpenzuar mbi 700 mijë euro e rezultati është humbja e autenticitetit të këtij monumenti.
Historia e punimeve në Hamamin e Prishtinës është e gjatë. Gjatë viteve 2007-2009 ishte punuar hartimi i planit të konservimit dhe restaurimit – fazë kjo e financuar nga CHwB/Sida, duke angazhuar një ekip ekspertësh nga Turqia. Projekti i hartuar me ndihmën e ekspertëve turq konsiderohej se jo vetëm që nuk përkonte me vlerat autentike të monumentit, por edhe ishte një përkthim i keq prej turqishtes.
Në qershor të vitit 2009, CHwB-ja ishte tërhequr prej bashkëpunimit me Komunën e Prishtinës. Kompania “Arda Rei” kishte nisur punët restauruese. Madje përfaqësuesit e saj gjatë përgatitjes së monumentit për restaurimin në muret e brendshme kishin zbuluar një pikturë murale me përzierje të dy ngjyrave themelore – kaltër e verdhë.
“Pas përzgjedhjes së kompanisë fituese për zbatimin e këtij projekti, është parë që kjo kompani nuk ka asnjë përvojë në punë konservuese/restauruese”, thuhej në një raport të datës 12 dhjetor të 2013-s të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë. Komisioni i monitorimit përbëhej prej institucioneve qendrore dhe komunale të kulturës, si dhe Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës.