Respektojeni ligjin, është jetike për Kosovën
Kur u ktheva para dy viteve si ambasador në Kosovë, 15 vjet pas shërbimit tim të parë në Prishtinë, u mahnita me të arriturat e Kosovës – vetëqeverisjen, infrastrukturën e re dhe gjeneratën e re të qytetarëve të talentuar, të edukuar dhe energjikë që punojnë së bashku për krijimin e ardhmërisë më të mirë për Kosovën.
Një ndër qëllimet drejt të cilit duhet të punojë populli i Kosovës, së bashku me popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është zbatimi i plotë i sundimit të ligjit. Vendi im është larg nga të qenit i përsosur në këtë aspekt dhe ende përpiqemi të ndërtojmë „një union më të përsosur” për të cilin flet Kushtetuta jonë, me të drejta të barabarta dhe drejtësi të barabartë për të gjithë. Por, kurrë nuk duhet të ndalemi së punuari për ta përmbushur këtë ëndërr.
Siç dëshmuan veprimet kriminale të 6 janarit në ndërtesën e Kapitolit, demokracia është e brishtë. Por, institucionet tona qëndruan. Kur policia përzuri turmën dhe e siguroi ndërtesën, Kongresi vazhdoi diskutimet dhe çertifikoi zgjedhjen e presidentit të ri. Dy javë më pas, ai president i ri mori detyrën në përputhje me Kushtetutën tonë. Jam i bindur se Amerika do të dalë më e fortë se kurrë nga kjo periudhë kritike, por ende kemi shumë punë dhe shumë dhimbje para nesh.
Ashtu si në Shtetet e Bashkuara, edhe Kosova ka ende shumë punë për ta përmbushur zotimin e saj. Parim kryesor i kësaj përpjekje duhet të jetë që udhëheqësit politikë t’i respektojnë institucionet gjyqësore dhe vendimet gjyqësore madje edhe nëse nuk e çajnë kokën për ato vendime. Vazhdojmë të jemi dëshmitarë të rasteve kur institucionet e Kosovës nuk kanë vepruar sipas ligjit për t’i zbatuar vendimet e gjyqësorit.
Shembull i tillë është rasti i pronësisë së Manastirit të Deçanit. Në vitin 2016, pas shumë vitesh të procedurave gjyqësore, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi pronësinë e Kishës Ortodokse Serbe mbi disa hektarë tokë. Megjithatë, me mbështetjen e heshtur të zyrtarëve të lartë dhe udhëheqësve të partive – përgjatë disa qeverive të udhëhequra nga parti të ndryshme politike, për gati pesë vjet – zyrtarët kadastralë të nivelit qendror dhe lokal nuk zbatuan vendimin për regjistrimin e ligjshëm të tokës së kishës.
Disa që e lexojnë këtë mund t’i mbledhin supet, të kthejnë faqen, të kalojnë te ngjarja tjetër. Pse duhet qytetarët e Kosovës të brengosen për Kishën Ortodokse Serbe?
Në fakt, do të argumentoja se nëse qytetarët e Kosovës janë seriozë për përkushtimin e tyre kushtetues për shoqëri shumetnike e të larmishme me liri fetare për të gjithë, ata do të duhej të mirëpresin praninë e pakicave. E pakicat do të duhej të mirëpresin mundësinë për tu integruar plotësisht në jetën politike dhe ekonomike të vendit. Por, ky është diskutim për ndonjë ditë tjetër. Rasti i Manastirit të Deçanit nuk ka të bëjë me përkatësinë etnike, politikën apo fenë; ka të bëjë me të drejtat pronësore dhe respektin për ligjin.
Me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, kisha shumë herë ka kërkuar nga qeveria që të respektojë ligjin dhe ta regjistrojë tokën e saj. Përpjekjet e kohëve të fundit të kishës kanë hasur në „heshtje administrative” – refuzim të qeverisë për t’iu përgjigjur kishës në mënyrë kuptimplotë dhe për të vepruar në pajtim me ligjin. Tashmë ka kaluar koha për të regjistruar tokën e kishës në pajtim me ligjin.
Kjo mosbindje ndaj sundimit të ligjit, e stërzgjatur me vite nga disa qeveri të ndryshme të Kosovës, vë në pyetje përkushtimin e Kosovës për drejtësi të barabartë.
Kur vendimet e gjyqit zbatohen plotësisht, do të thotë që vendi ka institucione funksionale, të paanshme dhe demokratike që iu shërbejnë të gjithëve. A mund ta themi këtë sot? A mund të llogarisë çdo qytetar – ose çdo investor i huaj i mundshëm – në gjykatat e Kosovës kur udhëheqësit e Kosovës mund të zgjedhin për të injoruar gjykatat kurdo që dëshirojnë?
Kosova ka arritur shumë në shtegtimin e saj demokratik në pak vite të shkurta. Në këtë çast kur vlerat demokratike po sulmohen anembanë botës, frymëzohem nga populli i Kosovës – nga qëndrueshmëria, vendosmëria e tyre për t’u përballur me sfidat dhe nga përkushtimi i tyre për të ndërtuar një demokraci të mbështetur në respektimin e sundimit të ligjit. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah Kosovës dhe popullit të saj përderisa ajo punon për ta ndërtuar të ardhmen demokratike për të gjithë qytetarët e saj. Nuk ka kohë për të humbur.
*Ky opinion është shkruar për mediumin Ekspres.