Reshjet e borës dhe shiut mobilizojnë Shqipërinë, bëhet apel për kujdes të shtuar gjatë vozitjes

Reshjet e borës dhe shiut mobilizojnë Shqipërinë, bëhet apel për kujdes të shtuar gjatë vozitjes

Për shkak të reshjeve të dëborës në disa zona malore të Shqipërisë dhe të reshjeve të shiut në të gjitha qarqet e vendit, Policia e Shtetit ka shtuar prezencën e punonjësve të Policia Rrugore në terren dhe të Patrullave të Përgjithshme, me qëllim monitorimin e qarkullimit të automjeteve, për të bërë të mundur parandalimin e aksidenteve dhe për të ndihmuar përdoruesit e rrugës në nevojë.

Përmes një njoftimi në rrjetin sociale Facebook, në akset rrugore në zonat malore të Shkodrës, Kukësit, Dibrës dhe Korçës, Policia apelon që drejtuesit e automjeteve të tregojnë më shumë vigjilencë dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore.

“Aktualisht, ka vështirësi në qarkullim në akset rrugore “Bajram Curri – Valbonë” dhe “Kërrnaj – Pac – Shimshan”, në Kukës, “Bogë – Qafë Thorë – Theth” dhe “Tamarë – Selcë – Vermosh”, në Shkodër. Automjetet në këto akse duhet të kalojnë me zinxhirë. Aksi rrugor “Bypass – Qafë Murriz”, në Dibër, aktualisht është i pakalueshëm, pasi firma kontraktore po punon për pastrimin e rrugës nga dëbora”, thuhet në njoftim.

Policia shton se borëpastrueset ndodhen në terren dhe vijojnë punën për pastrimin e rrugëve nga dëbora dhe për hedhjen e kripës, ndërsa theksohet se janë marrë masa në të gjitha akset rrugore nacionale dhe urbane, për shkak të reshjeve të shiut.

“Në këto kushte, Policia e Shtetit apelon për drejtuesit e automjeteve që të moderojnë shpejtësinë, të qëndrojnë në radhë në akset ku ka ngadalësim të lëvizjes dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara. Në raste nevoje, përdoruesit e rrugës të telefonojnë në numrin pa pagesë 112”.

Shpërndaje në: