Requiem: Nuk vdiq nga sëpata, por nga relacionet tona
A nuk është paksa i çuditshëm për të gjithë ne që ndajmë fatin e të jetuarit në këtë vend – relacioni që kemi krijuar me vulgaritetin e politikës ditore? Madje më shumë se kaq, relacioni që kemi ndërtuar edhe me fatkeqësitë që ngjajnë përditë, siç qe rasti i sotëm i vdekjes së gruas së sulmuar me sëpatë (nuk pashë se iu dha diku emri, e që do të thotë se ky vend e anonimizon gruan edhe së vdekshmi) dhe krejt në fund të triadës edhe me vetë punën si dimension njerëzor? Nuk mendoj se këtu ka diçka të çuditshme, teksa njoh llumin tim. Ne mirëmbajmë dhe mbarëvajmë përditshmërinë tonë rënduese, përmes heshtjes, bishtnimit për të folur – e kur akuzohemi si heshtakë – edhe përmes reagimeve e arsyetimeve që nisin me “s’munesh me ndrru kurgjo” e deri tek egoizmi i thellë dhe mosinteresimi për të ngjarat para hunëve tona? Por e tëra kjo e ka diku një eter e ravijëzim.
Kosovari i nemitur s’ishte dhe s’është pjesëmarrës por i përfshirë, në atë që do të mund ta emëronim si politicitet (e ku përfshihen relacionet sociale/puna). Kosovari s’gjakon mbi arsye, por mbi arsyetime. Jeton ronitjen e ishujve të qenies, që disi janë betonuar si mbetje nga sistemi i kaluar, sistem ky që kasabanë e ktheu në tendencë-qytet (planifikimi urbanistik jugosllav) dhe që tentoi ta mendoj një model të lodhur qytetarie. Relacioni i kosovarit me pushtetin s’është i ndërtuar mbi kërkim-llogaridhënien, por është një zgjatim i relacioneve të ustait e çirakut. E si për t’i vënë qershinë tortës edhe pas rasteve me sëpate, gjen ndër të majtë të vetëshpallur edhe idiotë të tillë që u pengojnë lajmet e kronikës së zezë, meqë shpërqendruakan vëmendje e ua ndalkan buçimin parollave të idealizmit. Thuajse jemi Suedi dhe kemi luksin e mos-përmendjes së rasteve të tilla. E majta e hamendësuar do të duhej në fakt ta kumbonte një kob të tillë, dhe t’i mëshonte sa më shumë çlirimit nga patriarkalizmi ngulfatës.
Por, u mor vesh. S’kemi lindur dje. Me përjashtim të gjeneratës 1997 e këndej, për brezat tjerë do të mund të thuhej se jemi zgjatime të ish sistemit/90-tave. E ish sistemi, duke shpallur njërin dimension të njeriut, atë të punës, si më të vlefshmin dhe më të rëndësishmin (në njeriun mund të ndikosh rreth asaj se çfarë është e rëndësishme, por asnjëherë mbi atë se çfarë është e vlefshme) qendërzoi punën si patosin e telosin kryesor të përçapjes (edhe) të kosovarit. Vlera dhe rëndësia e punës u njëjtësuan. Për rrjedhojë fisnoria si formacion nativ shqiptar (mos-ndarja e qartë e punës) nisi t’i lëshoj vendin vetëdijes për fisnorinë si barrierë (ndarja e e gradualtë e punës/gjetja e punës). Ky si shpjegim sociologjik.
Në stade shpirtërore/metazfike, puna u shenjtërua në nivel jetese, sepse siguronte mbijetesën. U bë MBI-jetë pra. Por fisnoria asnjëherë nuk u tejkalua. E as provincializmi. Krejt çfarë ngjau qe një relacion i ri mikst dhe i përçudnuar mes këtyre përçapjeve të kosovarit: GJETJA e punës si MBI-jetë u shenjtërua e u kthye në vetë intencë jete, pavarësisht në jetoftë krahas tij/prapa mureve tona ethshëm patriarkalizmi respektivisht shtypja mesjetare e gruas. Shpotia e interesimit për punë të tjetrit në raste mondane e ‘normale’ i lëshoi vendin mosinteresimit për punë të huaja!? (‘Çka po ta ndien çka kanë pas mes veti. Ku pe din ti! A pe s’pashë as njeve s’njeva!’) – si njëfarë psikologjie e provincialit të frikësuar antipolitik që shpotinë e deriatyshme në çështje sekondash e kthen në refleks anti-spiunimi), për tu bërë shpotitës në të gjallë të viktimës e heshtaku më i madh i botës teksa sheh veturën e Ambulancës.
Rënia e ish-sistemit, që u karakterizua nga kjo prirje e të menduarit të punës si mbijetesë, antipolitikë dhe edep mosinteresimi, solli të 90-tat – largimin masiv nga puna. Mbijetesës iu shtua edhe shenjtërimi i gjindshmërisë dhe shkathtësisë. “Veç me e shti kryet diku” është fjalë e dalur nga ajo dekadë. Fjalë që kumbon kallëzuesorin pa e thënë fare…”se nuk m’nihet zani”, krahas me shuarjen edhe ashtu pothuajse të paqenë empatisë shoqërore e përgjegjësisë qytetare. Solidarësia jetëshkurtër e shfaqur më 1998-1999 nuk është se ndërroi shumë nga situimi i mëhershëm. Përkundrazi shkelja në kapitalizëm vetëm se përlëvdoi tjetërsimin e punës nga një gjë e rëndësishme në vlerën më ultima-prima të njeriut. Aq më shumë që zanatet e siguruara nga koha e ish-sistemit pësuan shkundje të madhe: tanimë më e rëndësishme ishte anglishtja se sa diploma e cilitdo fakultet.
Kësodore shpotia e vulgut (emërtim i Spinoza-t për turmën e paemanciuar) nuk është se u shua, ajo vetëm se u përforcua së transformuari e sofistikuari në specialistë, ekspertë, politikanë, tyxharë e punëtorë të nemitur të pasluftës. Gjetja e punës për vete (si rëndësi e njëjtësuar me vlerën e jetës), interesimi se a ka gjetur tjetri (mbijetesa e duhmës së shpotisë) si dhe mosinteresimi në vdes dikush nga sëpata (ani pse thua se përfaqëson qytetari) vazhduan të jenë omnipotente. Madje edhe tek pjesa gjoja intelektuale/shkollare e që paslufte nxori flamurin e postmodernës si prazmore të bërjes asgjë. Pse a nuk do të duhej të derdheshin që sonte në rrugë sociologë, psikologë e shkollarë teksa dëgjojnë për një gëlim të tillë mesjetarizimit? Si mundet Blerim Latifi ta ligjëroj Kantin, përkatësisht thirrjen e tij për daljen e njeriut nga papjekuria e njëkohësisht të mos e thotë asnjë fjalë për një pësim aq çmimlirë të njeriut? Sa ka territor Kosova? Sa Rusia ?
Por nuk mundem që krejt këtë ta kalojë pa potencuar edhe faktin se shumë nga çka u fol deri këtu lidhet edhe me trajektoren që ka ndjekur/pësuar botëvështrimi ynë ndaj historisë. Me faktin se ka pasur dhe ka një tendencë kalimi nga përjetimi teologjik e mitoman i historisë (personale dhe kolektive) që në fakt akoma ruan shumëçka nga vetja (sidomos tek krahu politik që përfaqëson luftën), kah ai lloj botëvështrimi i historisë që po të ndjekim Lajbnicin do të mund ta quanim “histori optimum”. Histori që i ngjan të ndodhurit të disa insekteve (njerëzve) mbi konet e një flladitëseje grashë: Një mizë ndodhet në pjesën më të majtë të flladitëses, një mushkonjë diku në mes, dhe një milingonë krejt në fund. Që të tria nuk dinë për njëra –tjetrin! Vetë bota u shpaloset e tillë dhe nisur nga kjo as që duan t’ia dinë. Dhe teksa shtrirja e koneve zgjat pa ndalur, insektet (lexo njerëzit) shfronëzojnë njëri-tjetrin. Ngasin pra optimumin në konet të jetesës/flladitëses nga e cila mund të bijnë çdo çast! I tillë ishte qyteti relativist i Lajbnicit “bota e të mundshmeve” që në rastin tonë mbahet për vulgun e Spinoza-s, bash si dikush që s’do t’i lëshojë parmakët e ballkonit në të cilin më as s’është as ska rënë plotësisht. Për rrjedhojë jo sëpata por, martesa e qytetit relativizues, të ronitur e pa qytetari, me ngrehinën e madhe të shpotisë e hipokrizisë provinciale/fisnore – gjalluese këto për çdo milisekondë në relacionet tona e ka vdekur një grua sot. Kjo dhe asgjë tjetër.