Republikanët e Trumpit e marrin kontrollin e Senatit, i rrëzojnë demokratët

Republikanët e Trumpit e marrin kontrollin e Senatit, i rrëzojnë demokratët

Republikanët e kanë fituar kontrollin e Senatit të Shteteve të Bashkuara, duke e rimarrë shumicën në dhomën e lartë të Kongresit për herë të parë në katër vitet e fundit, raporton agjencia “Associated Press”.

Kjo fitore i jep Partisë Republikane një qendër të rëndësishme të pushtetit në Uashington dhe rol udhëheqës në konfirmimin e kabinetit të presidentit të ri, si dhe përzgjedhjen e ndonjë gjykatësi të Gjykatës Supreme, nëse lirohet ndonjë vend, raporton agjencia “Associated Press”.

Kontrolli në Dhomën e Përfaqësuesve ende nuk është përcaktuar, pasi gara për më shumë se 100 ulëse nuk është shpallur akoma e mbyllur.

Partia Republikane ka aktualisht një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Republikani Jim Justice pritej që të fitonte një ulëse në Senat në Virgjinian Perëndimore pak pas mbylljes së vendvotimeve, duke ia zërë vendin demokratit të shndërruar në të pavarur, Joe Manchin.

Në Ohio, shumë media amerikane parashikuan se republikani Bernie Moreno do ta mposhtte demokratin Sherrod Brown.

Këto dy fitore u garantojnë republikanëve shumicë ulësesh prej 51 me 49 në Senat, ndërsa mund të fitojnë edhe ulëse të tjera, përderisa vijnë rezultatet e reja.

Shpërndaje në: