Republika Serbe miraton një draft të kushtetutës së re – shtet brenda shtetit të Bosnje dhe Hercegovinës

Republika Serbe miraton një draft të kushtetutës së re – shtet brenda shtetit të Bosnje dhe Hercegovinës

Asambleja Parlamentare e Republikës Sërpska e ka miratuar të enjten vonë një draft të kushtetutës së re, e cila synon ta shpallë shtet entitetin serb të Bosnje e Hercegovinës.

Me Kushtetutën e re, ndër të tjera, liderët e Republikës Sërpska synojnë ta përcaktojnë këtë entitet si shtet të popullit serb, t’i japin të drejtën e vetëvendosjes, ta krijojë ushtrinë e tij dhe ta shfuqizojë Këshillin e Popujve dhe nënkryetarët nga dy popujt e tjerë përbërës.

Kjo kushtetutë është në kundërshtim me Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës, dhe rrjedhimisht me Marrëveshjen e Dejtonit.

Që nga Marrëveshja e Dejtonit për paqe, e cila u nënshkrua në vitin 1995 dhe i dha fund luftës në Bosnje, vendi përbëhet nga Federata Boshnjako-Kroate dhe Republika Sërpska e dominuar nga serbët etnikë, nën një qeveri të dobët qendrore.

Derisa Republika Sërpska mund të miratojë ligje për çështje të brendshme, ligjet dhe institucionet në nivel shtetëror mbeten mbi të gjitha, sipas Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës.

Drafti, i cili u miratua me 50 vota për dhe tetë kundër të enjten në Banjallukë, tani do të kalojë në një debat publik 30-ditor, pas së cilës Komisioni Parlamentar për Çështje Kushtetuese do ta hartojë një propozim që më pas do të debatohet sërish në Asamblenë Kombëtare.

Kjo është një lëvizje tjetër për ndarjen e Republikës Sërpska nga Bosnja e liderëve të këtij entiteti, pasi javën e kaluar Asambleja miratoi ligje që ndalojnë punën e institucioneve shtetërore të drejtësisë së Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

Edhe pse Gjykata Kushtetuese e Bosnjës pezulloi zbatimin e ligjeve, Republika Sërpska ka ngulur këmbë se ligjet do të zbatohen.

Veprimet e liderëve të Republikës Sërpska janë kundërshtuar nga opozita në këtë entitet dhe janë dënuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Shpërndaje në: