Reperi kosovar në Zvicër dënohet me 51 muaj burg dhe dëbim

Reperi kosovar në Zvicër dënohet me 51 muaj burg dhe dëbim

Besijan Kacorraj, që njihet më mirë me emrin e tij artistik “Besko” është dënuar dje nga një gjykatë zvicerane në Uster ZH me 51 muaj heqje lirie dhe dëbim nga Zvicra për 10 vjet.

Kryetari i trupit gjykues e ka arsyetuar vendimin, duke thënë se “Besko” u rrit në Zvicër, por më pas u bë kriminel.

“Ndarja nga familja e tij në Zvicër nuk është e mjaftueshme që të vlerësohet rast i rëndë. Përveç djalit tuaj, ju nuk keni pothuajse asnjë kontakt me familjen tuaj”, e ka arsyetuar vendimin gjykata zvicerane.

“Besko” është gjetur fajtor për grabitje, shkelje të qëllimshme të ligjit të armëve, keqpërdorim të kartave të identitetit si dhe shkelje të Ligjit për të huajt dhe integrimin, hyrje të paligjshme, qëndrim të paligjshëm, punësim përfitues pa leje, etj.

Në vitin 2019, “Besko” kishte sulmuar një zyrë postare në Dübendorf të Cyrihut. Kjo grabitje ka ndodhur pikërisht gjatë kohës kur ai ishte në një pushim të lejuar në mënyrë të jashtëzakonshme, për ta vizituar të birin në Zvicër, derisa ai ishte i dëbuar për në Kosovë.

Që nga ajo kohë, reperi me origjinë nga Kosova ndodhet prapa grilave të burgut duke shpresuar se do mbetej në Zvicër, por ndodhi e kundërta pas vuajtjes së dënimit. “Besko” duhet ta braktisë sërish Zvicrën.

Ai më herët ishte dënuar me pesë vjet burgim për një numër veprash si detyrim, vjedhje dhe grabitje me armë.

Reperi nga Cyrihu ishte dëbuar në vitin 2016 për në Kosovë, por ishte rikthyer sërish ilegalisht në Zvicër.

Shpërndaje në: