Rënkimi nuk është kritikë

Rënkimi nuk është kritikë

Ai që e shkroi ‘komunikatën’ e MASHT-it, nuk është fajtor i gjendjes së arsimit në vend. Ai është poashtu viktimë e një sistemi arsimor që e mbajti dymbëdhjet e më shumë vjet në një shkollë, dhe ia humbi mijëra orë krejt palidhje.

Agjencia Kosovare e Akreditimit u përjashtua nga Regjistri i Cilësisë Evropiane [EQAR] dhe kjo u pasua me shqetësimin se diplomat që merren në universitetet e akredituara në Kosovë nuk do të njiheshin ndërkombëtarisht në universitetet evropiane.

MASHT-i e lëshoi një komunikatë ku thoshte që “studentët nuk do të kishin probleme me njohjen e diplomave – dhe se ato do të trajtoheshin siç ishin trajtuar deri tash”. Kjo komunikatë gëlonte nga gabimet e shumta drejtshkrimore, dhe e cila si e tillë, duke dashur të qetësonte studentët në fakt i shqetësoi të gjithë qytetarët. E qytetarët, siç ndodh rëndom, e filluan rënkimin. Njësoj edhe kritikët e pushtetit. Si është e mundur të udhëhiqet Ministria e Arsimit nga njerëz që nuk dinë të shkruajnë? – pyetën përsëri. Kjo pyetje përmban shumë shtirje. Ne tash e një kohë e dimë që në Kosovë jokompetenca është e shpërndarë gjithandej dhe që klientelizmi si mirëmbajtës i jokompetencës ose jomeritës, është zgjeruar e forcuar në vazhdimësi.

E gjithë kjo erdhi si pasojë e një vendimi të kryeministrit të Kosovës, për të shkarkuar anëtarët e bordit të AKA-së. As unë nuk besoja në punën e këtij Agjencioni, duke parë programe të ndryshme jomeritore derisa merrnin akreditim. E megjithatë, kryeministri Haradinaj as që u lodh të arsyetonte veprimin e tij – ndërkohë që Regjistri kishte qenë në pritje të një arsyetimi serioz e konsistent. Në mungesë të tij, EQAR-i e kishte bërë përjashtimin e AKA-së duke e arsyetuar vendimin me ndikimin politik dhe mosrespektimin e autonomisë së saj nga qeveria.

T’i shohim me kujdes të dyja këto raste. Ministria reagon me gabime drejtshkrimore ndaj shqetësimit të studentëve. Ndërkohë që Haradinaj më parë kishte reaguar [përmes atij shkarkimi] por pa e arsyetuar atë reagim, ndaj gjendjes së keqe në arsimin e lartë. Ndërkohë, përtej këtyre dy rasteve: qytetarët poashtu reagojnë, kryesisht me rënkim e përqeshje.

Vendimi i paarsyetuar i Haradinajt dëshmon për mungesë vizioni e prandaj edhe konsistence në veprimet e tij. Unë vërtet besoj në nevojën e një ndërhyrjeje politike në Universitetin e Prishtinës. Deri tash, politika i ka shfrytëzuar josistematikisht themelet e shtrembërta të saj – për të cilat shkruante edhe rektori Zejnullahu – në mënyrë që të forconte pushtetin partiak. Por hapësirën e madhe që ekzistonte për analfabetë funksionalë e shfrytëzuan edhe njerëz të tjerë, jodomosdo të lidhur me politikën. Studentë e profesorë të shumtë. Ndoshta mijëra të tillë. Unë nuk besoj te autonomia e UP-së, tash për tash. Ashtu siç nuk besoj as në anëtarët e shkarkuar të AKA-së. Fundja, edhe EQAR-i po të merrte një përgjigjje të kënaqshme nuk do ta bënte përjashtimin në fjalë. Por nuk e mori. Pra, besoj te prishja e ‘status quo’-së në arsim, pikërisht përmes politikës. Por ky besim është i kushtëzuar. Besoj te veprimet në fjalë për aq sa ato i nënshtrohen një metode a vizioni të caktuar – dhe për aq sa vetë kryeministri dhe vartësit e tij, janë të aftë të arsyetojnë secilin veprim si rrjedhojë të një strategjie të mirëmenduar. Po njësoj, besoj edhe te një kritikë që nuk bazohet në përqeshje e rënkim.

Por, veprimet e kryeministrit [jo vetëm në këtë fushë] i nënshtrohen vetëm bindjeve të tij vetjake. Tekeve të tij. Dhe kjo është logjikë provinciale që do ta dëmtojë tepër shumë vendin.

Aktualisht temë qëndrore në Kosovë është demarkacioni. Kështu ishte prej verës së vitit 2015. Por pse një temë e tillë teknike u bë problem i brendshëm politik? Sepse mungon ‘logjika shtetndërtuese’ që përkthehet në mungesë të ‘idesë elementare për kombin’. Madhësia territoriale, të qenët pak më i madh se fqinji, njëherë e një kohë [para dy shekujsh] shërbeu si një element kombndërtimi. Kështu thotë kritiku i historisë së ideve, Michel Foucault. Ndërkohë që Emmanuel Sieyes, shkruan: “Ajo që do të përbëj thelbin e funksionit dhe rolit historik të kombit, nuk do të jetë ushtrimi i një raporti të sundimit mbi një komb tjetër; do të jetë diçka tjetër: do të jetë administrimi i vetes, menaxhimi i të qeverisurit, sigurimi i vetes, ndërtimi dhe funksionimi i figurës dhe pushtetit shtetëror. Jo sundimi por etatizmi.”

Kosova po dëshmon mungesë të këtij konceptimi mbi të cilin janë ndërtuar kombshtetet e zhvilluara perëndimore. Administrimi i territorit është i rëndësishëm, por këtu në lojë është ‘humbja’ e territorit. 8 mijë hektarët që ‘i falen’ Malit të Zi.

Kjo është rrjedhojë e idesë së ‘Bashkimit Kombëtar’ ose ‘Shqipërisë së Madhe’ ku referenca është te përfytyrimi i kombit ‘në relacion me madhësinë territoriale të fqinjëve’. Në një vend luftërash si Ballkani, kjo është e kuptueshme. Ama, vendi ynë [dhe fqinjtë tanë poashtu] aspiron të futet në BE dhe këtu kjo përpjekje e humbet kuptimin.

Reagimi ndaj mosfunksionalitetit të institucioneve shtetërore, mosadministrimit të vetes, mosmenaxhimit të të qeverisurit është i pamenduar, josistematik e prandaj vetëm dëmprurës. Ne shohim njerëz të ndryshëm që me gabime drejtshkrimore sulmojnë njerëz të tjerë që poashtu bëjnë gabime drejtshkrimore. Kjo është një logjikë distancuese, e një shkëputjeje nga faji e kësisoj edhe fati i shoqërisë. Një referencë për një distancim qoftë edhe kulturor e estetik nga ‘muti’ ynë, e kemi te dëshira për të ikur nga ky vend. Nga një konceptim me përbuzje për kulturën tonë, e njëkohshëm edhe kulturën e të parëve. Nga një pamundësi për të qëndruar këtu, dhe për t’u fëlliqur fizikisht e shpirtërisht me atë ‘mut’ që vetë e bëjmë. Kjo është një mungesë serioze kreativiteti dhe dijeje për të kanalizuar mutin, dhe për ta parë veten të bashkëlidhur me të.

Sistemi ynë arsimor prodhon me shumicë analfabetizëm, mirëpo kjo s’më duket si rrjedhojë e një ndërhyrjeje djallëzore nga ndonjë individ apo parti politike. Problemet janë të vërejtshme, por fajësia jo aq. I mban me mijëra orë mësimore të gjuhës shqipe, për dymbëdhjetë vjet, dhe nuk arrin t’i bëj që të shkruajnë mirë. Njësoj edhe me gjuhën angleze. Mijëra herë të nënshtruar në qëndrimin ulur, dhe në fund shumica dërrmuese e nxënësve nuk dinë të shkruajnë as një fjali në gjuhën angleze. Në fakt, ai që e shkroi ‘komunikatën’ e MASHT-it, nuk është fajtor i gjendjes së arsimit në vend. Ai është një viktimë e një sistemi arsimor që e mbajti dymbëdhjet e më shumë vjet, dhe ia humbi mijëra orë krejt palidhje. Të mos flasim pastaj për disa lëndë të tjera, ku poashtu kolektivisht nuk qëndrojmë mirë.

Jeta është shumë e shkurtër për t’ua humbur mijëra orë kohë, qindra-mijëra njerëzve! Ose për t’i humbur mijëra orë të tjera, diskutime në një çështje pa-lidhje si demarkacioni. Imagjinoni sikur gjithë ai diskutim, vazhdimisht e për çdo ditë, të bëhej për arsimin. Jam i bindur se diçka produktive do të mund të dilte nga e gjithë kjo.

Nuk dua t’i bashkohem korit të rënkuesve mbi gjendjen e rëndë në sistemin arsimor. Dua të shtroj nevojën për një konceptim e shtrim të ri të këtij problemi, përtej ‘kapësve’ ose ‘fajtorëve’ të caktuar.

Shpërndaje në: