Rënia e pashpjegueshme e Mustafit: Nga kampion bote, në ligën e dytë gjermane
Katër ditë më herët, më datën 17 prill, Shkodran Mustafi mbushi 29 vjet. Në vend se të ishte në kulm të karrierës, pas tre ditësh ai do të binte nga Bundesliga me ekipin e tij të ri, Schalken. Çka ndodhi me kampionin e Botës më 2014 me Gjermaninë?
Shkodran Mustafi shihej si një mbrojtës mjaft premtues në Gjermani, derisa luante për të rinjtë e ekipit të Hamburgut. Ai kishte kaluar te Evertoni, për stadiumin e të cilit ekip kishte thënë se “po i ofron ndjenjën e shtëpisë”. Për të kaluar te Evertoni, ai kishte refuzuar ekipe si Manchester City dhe Newcatle United.
Mustafi ishte një mbrojtës që kishte luajtur në grupmoshat e Gjermanisë U-16, Gjermanisë U-17, Gjermanisë U-18, Gjermanisë U-19, Gjermanisë U-20 dhe Gjermanisë U-21.
Shumë pak lojtarë të nivelit më të lartë botëror kanë arritje të tilla në fazat e reja të lojës së tyre, shkruan Periskopi.
Mustafi, fitoi vend edhe te Gjermania e seniorëve dhe u bë kampion i botës në vitin 2014 në Brazil.
Në të gjitha rangjet, del se Mustafi ka arritur të luajë 81 herë, e të shënojë 13 gola. Për të rriturit ai ka shënuar 2 gola në 20 ndeshje.
Për Evertonin në qytetin e Liverpoolit ai nuk luajti asnjë ndeshje në Premier Ligë, por debutimin e pati në një ndeshje të Europa Ligës ndaj Bate Borisov.
Sampdoria ishte ekipi që i dha mundësinë dhe e zhvilloi talentin e tij, ani pse ai luante në pozitën e mbrojtësit të djathtë kryesisht.
51 ndeshje në Serie dhe 1 gol ishte bilanci i mbrojtësit me origjinë shqiptare.
Si 22 vjeçar ai arrin të bëhet pjesë e ekipit spanjoll Valencia, në të cilin klub luajti 64 herë dhe i shënoi 6 gola.
Por, ishte Arsenali që i dha atij mundësinë më të mirë, e njëkohshëm edhe dështimin më spektakolar.
35 milionë funte pagoi ekipi nga Londra e Veriut për Mustafin, një shumë që edhe në atë kohë konsiderohej e lartë për një mbrojtës qendre.
Por, me kalimin e kohës, Mustafi ekspozoi telashet e mëdha që kishte në nivelin më të lartë të futbollit. Ai bëri shumë gafe në mbrojtjen londineze që i kushtuan rëndë. Ai u dëshmua të ishte një lojtar i ngadaltë, dhe që kishte një sens të fortë pozicionimi në fushë.
Më 1 shkurt të këtij viti, Mustafi kaloi te Schalke 04, klub që nuk dihet sa ka paguar. Schalke po luftonte për mbijetesë, por tashmë ka rënë nga liga pas humbjes së djeshme ndaj Arminia Bielefeldit.
Mustafi madje edhe te Schalke dështoi të ishte një lojtar i mirë, dhe prej sezonit të ardhshëm do të jetë pjesë e Bundesliga 2 në moshën më të mirë.