Rënia e mitit të SHBA në Tiranë

Rënia e mitit të SHBA në Tiranë

Sali Berisha përdori së fundi një gjuhë të fortë kundër ambasadorit Lu duke e quajtur atë me përbuzje guvertantor të Shqipërisë që mban anën e qeverisë.

Pak ditë më parë, megjithëse u prit si mik i veçantë, një sërë mediash i kujtuan njeriut që hapi i pari ambasadën e ShBA në Tiranë, Kris Hillit, angazhimin që kish pasur në burgosjen e liderit të opozitës Fatos Nano dhe akuzat e ashpra të këtij të fundit në atë kohë.

E njëjta fabul u përsërit edhe me rikthimin e Aleksandër Arvizut në Tiranë, i cili e stampoi mandatin e tij me shprehjen “burrë shteti” për kryeministrin e akuzuar se sapo kishte vrarë 4 demostrues të pafajshëm.

Natyrisht sejcili prej këtyre tre rasteve ka veçorinë e tij.

Donald Lu e përdhosi keq reputacionin e vendit që përfaqëson me denigrimin që i bëri protestës së ambientalistëve dhe me afishimin e tij të dekompleksuar në përkrahje të kryeministrit.

Kris Hill, megjithëse e mohoi implikimin e tij direkt në burgun politik të liderit socialist (korrik 1993-mars 1997), në shpjegimet që dha, nuk e justifikoi dot heshtjen e turpshme të ambasadës për këtë ngjarje dhe mbështetjen e pakursyer ndaj regjimit autokratik të Berishës edhe shumë kohë pas saj.

Po ashtu edhe Aleksandër Arvizu me gjithë arsyetimet që ka shprehur për termin skandaloz “burrë shteti”, se ai mëtoi ta zbuste bishën duke i qëndruar në krah, nuk ka bindur askënd.

Sado të largëta dhe të ndryshme nga njëra tjetrë të jenë këto tre fabula, ato konvergojnë në një pikë: në pjesën më të madhe të rasteve, diplomacia amerikane në Shqipëri ka qenë hapur në krah të qeverisë edhe kur kjo e fundit ka qenë në konfikt direkt me shumicën dërmuese të qytetarëve të saj.

Po ti shtohen këtyre shembujve, raste si ato të sharlatanit makartist Rajerson, të zonjës me uniformë Lino, apo dendit pro socialist Limpreht, konkluzioni bëhet edhe më i ashpër.

Ai ngre pyetjen e madhe, nëse ne duhet të vazhdojmë ti konsiderojmë diplomatët amerikanë të Tiranës si mishërim të kriterit të vërtetës, si gjykatës të ndershëm të shernajës sonë, si emisarë të vendit të lirive?

Rolin e saj si “perandoria e së mirës”, apo si fanar ndriçues i një rruzuli njëpolar, SHBA po e humb me shpejtësi edhe në botë që pas përfundimit të luftës së ftohtë. Prej kësaj kohe, Amerika nuk është më vetëm vendi që kontribuoi në mposhtjen e nazifashizmit 70 vite më parë, dhe që i hoqi qafe globit rrezikun e ariut rus.

Ajo është gjithëashtu vendi që harxhon gjysmën e buxhetit të saj për të hapur konfikte si ato të Irakut apo Afganistanit. Ajo është vendi që ka më shumë të burgosur për frymë sesa Kina apo Koreja e veriut. Ajo është vendi ku çdo ditë mbi 30 persona humbasin jetën me armë zjarri. Ajo është vendi ku një në çdo katër fëmijë mbush barkun me supën popullore. Ajo është vendi ku çmimet e çmendura të studimeve, krijojnë riprodhim drastik të pabarazive sociale. Ajo është vendi ku të pasurit paguajnë më pak taksa (15%) ndërsa njerëzit e thjeshtë shumë më tepër. Ajo është vendi ku lobistët kanë më shumë pushtet sesa votuesit. Ajo është vendi ku vetëm në fushatën e fundit presidenciale, dy partitë kryesore mendohet të shpenzojnë mbi 7 milionë USD, për të vazhduar të ndajnë pushtetin në mes tyre.

Roli i arbitrit të ndërshëm botëror, të kësaj superfuqie të vetme, sa të padrëjtë përtej kontinentit aq dhe të pabarabartë brenda tij, ka kohë që është vënë në pikëpyetje anembanë globit. Miti i vendit të lirive ka kohë që është krisur. Mirazhi i një shoqërie të drejtë ka kohë që ka rënë.

Por, pavarësisht këtij trendi botëror, këtej nga anët tona, përkimi i disa koinçidencave historike dhe fakti se mendimi intelektual botëror mbërin me vonesë, e ka mbajtur gjithnjë të gjallë imazhin e vendit të ëndërave.

Prandaj shpesh, kur kryediplomatët e SHBA në Tiranë, na është dukur sikur ndërmarrin akte të pamoralshme, më shumë jemi pritur ti vëmë fajin personit, përzgjedhjeve personale, sindromës së Laurencit të Arabisë, sesa politikës së madhe të shtetit prej nga ata vijnë.

Natyrisht edhe këto kanë pjesën e tyre të së vërtetës.

Shpesh historia e shkurtër na ka dëshmuar se ambasadorët e vendit më të fuqishëm në botë bien këtu pre e delirit të tyre të madhështisë.

Por, në një vështrim afatgjatë, me përjashtim të vendimarrjes për ndonjë konkurs bukurie, apo ndonjë ekspozite pikture, pa llogaritur favorizimin për “x” tender ndërkombëtar, apo mbështetjen personale për “y” politikan, ata kurrë, po kurrë, nuk kanë pasur mundësinë të dalin nga linja që i është përcaktuar në Uashington.

Asnjëherë gabimet e tyre të mëdha në Tiranë, nuk kanë qenë produkt i zgjedhjeve të tyre personale.

Pikërisht për këtë, alibisë se fajin e ka Lu që është lidhur me Ramën, Limprehti që është kapur nga Meta, apo Rajersoni si mik i Berishës, duhet ti japim fund.

Në më të shumtën e rasteve gafat nuk kanë qenë të personit, por të vijës politike që ai përfaqëson.

Dhe duke qenë se prej këtu nga Tirana, ne as nuk e zhbëjmë as nuk e rregullojmë dot këtë raport, gjëja e vetme që kemi në dorë është të mos e marrim fjalën e këtyre ambasadorëve si kriterin e së vërtetës.

Dukë qenë se tashmë jemi të vetëdijshëm se SHBA kanë bërë gafa të pariparueshme në botë dhe përfaqësuesit e saj gabime jo të vogla në rang lokal, e vetmja gjë që na mbetet të bëjmë është të zhvishemi nga miti i Amerikës së pagabueshme.

Ky çerek shekulli na ka mësuar se mbështetja e burgosjes së kundërshtarëve politikë, venerimi i kryeministrave që vrasin për një gardh, apo linçimi i shoqërisë civile në favor të qeverisë, nuk ka asgjë të përbashkët me Amerikën që kemi në kokë.

Në shumë raste imagjinata nuk është përputhur me realitetin dhe ky nuk është faji i ShBA, por mbi të gjitha faji ynë që vazhdojmë të shohim tek ajo, pa asnjë dyshim, kriterin e vetëm të së vëërtetës, arbitrin e ndershëm dhe aleatin e drejtë. (Lapsi.al)

Shpërndaje në: