Rendimenti i Grurit – Një Krenari Komuniste në Shekullin XXI?

Rendimenti i Grurit – Një Krenari Komuniste në Shekullin XXI?
Shkruan: Berat Rukiqi
Në shumë vende post-komuniste, rendimenti i lartë i grurit është ende një simbol krenarie kombëtare. Shpesh dëgjojmë qeveritë dhe liderët politikë që mburren me sasinë e grurit të prodhuar si një dëshmi e suksesit të tyre ekonomik. Por a është kjo mburrje një tregues i vërtetë i zhvillimit ekonomik? Apo është një mbetje e mentalitetit komunist që pengon progresin e vërtetë?
Në periudhën komuniste, rendimenti i grurit ishte një nga matjet kryesore të suksesit ekonomik. Politikat e kolektivizimit dhe industrializimit shpesh përqendroheshin në bujqësi, dhe propaganda shtetërore promovonte suksesin e grurit si një arritje madhore. Ky mentalitet vazhdon të ndikojë në shumë vende që dikur ishin nën sundimin komunist dhe shumë tjera me liderë që janë peng të kësaj ideologjie, përfshirë partinë që e kemi në pushtet.
Shifrat e rendimentit: Një pasqyrë e gabuar e suksesit dhe mjet për propagandë
Ndërsa rendimenti i lartë i grurit mund të tregojë një sektor bujqësor të shëndetshëm, në një sezon të caktuar dhe gjendje të caktuar klimatike, ai nuk është një tregues gjithëpërfshirës i zhvillimit ekonomik. Në bazë të statistikave zyrtare Kosova vazhdon të importojë qindra milionë euro drithëra dhe miell. Nuk ka asgjë të keqe nëse nuk jemi të vetëmjaftueshëm me grurë dhe produkte të tjera.
Problemi qëndron dikun tjetër. Shumë vende me rendimente të larta të grurit (India, vende të lindjës së largët, vende të kontinentintit afrikan) përballen ende me varfëri, papunësi të lartë dhe mungesë të infrastrukturës moderne për zhvillim ekonomik. Përqendrimi në një sektor të vetëm, duke injoruar të tjerët, krijon një ekonomi të pabalancuar dhe të brishtw.
Ekonomia moderne kërkon diversifikim dhe inovacion. Vendet që synojnë zhvillim të qëndrueshëm duhet të investojnë në teknologji, arsim, shëndetësi dhe sektorë të tjerë industrialë. Kjo qeveri nuk po bën as reformë ekonomike, as diversifikim, as investime, e as nxitje të inovacionit. Mburrja me rendimentet e grurit, me skema sociale, “gjallëri në supermarkete”, “ura me gjatësi 3 metra”, ndërkohë që neglizhohen këto aspekte tw rwndwsishme zhvillimore, është një mentalitet i kufizuar, varfëri në ide dhe ambicie dhe pengesë për progresin e vërtetë ekonomik.
Ndërsa rendimenti i grurit mund të jetë një lajm pozitiv, ai nuk mund të përdoret për të mbuluar dështimet kolosale tw qeverisë dhe nevojën për reforma të thella strukturore dhe investime në sektorë të tjerë të ekonomisë. Kosova vazhdon të përballet me sfida të mëdha ekonomike, përfshirë migrimin, mungesën e investimeve në infrastrukturë, në shendetësi, në arsim dhe në teknologji.
A është ky Mentalitet Komunist?
Lirisht mund të themi se mburrja me rendimentet e grurit është një trashëgimi e mentalitetit komunist, ku prodhimi bujqësor ishte simboli kryesor i suksesit shtetëror (rikthim pamjesh nga Kinostudio dhe filmat e Stalinit). Në vend që të përqendrohen në treguesit e mirëqenies së përgjithshme, rritjen e kostove të jetesës, investimet e rëndësishme infrastrukturore, parandalimit të migrimit, krijim të vendeve të punës nga investimet e jashtme, qeveria Kurti vazhdon me qasjen e përdorimit të statistikave selektive dhe shtrembërimit të numrave për të mbuluar dështimet ekonomike. Në fund të fundit, rendimenti i lartë i grurit mund të jetë një arritje e rëndësishme, por nuk duhet të jetë asnjëherë arsyeja e vetme për krenari të një qeverie të tërë, pa asnjë rezultat në zhvillimin ekonomik.
Rruga përpara duhet të jetë Rrugë e Re
Kosova duhet të largohet nga ky mentalitet dhe duhet të përqafoj një qasje më holistike ndaj zhvillimit ekonomik. Kjo nuk mund të bëhët pa vizion, punë, dije dhe ekip. Kjo Qeveri nuk e ka asnjërën. Qasja e re përfshin reforma strukturore, përmirësimin e klimës së biznesit, siguri juridike dhe parashikueshmëri, investime të jashtme, investime në kapitalin njerëzor dhe promovimin e inovacionit dhe teknologjisë.
Zhvillimi ekonomik i vërtetë dhe qëndrueshëm kërkon një perspektivë më të gjerë dhe investime në të gjitha aspektet e shoqërisë dhe ekonomisë. Këtë e perspektivë dhe këto investime I kemi në programin zhvillimor dhe transformues për vendin “Rruga e Re”.

Shpërndaje në: