Renault, Lexus dhe Volkswagen me frena maksimalisht të sigurt, e BMW dëshpëron
Numri maksimal i yjeve u fitua nga veturat Renault Megane E-Tech, Lexus NX, VW Polo i ridizajnuar dhe nga VW Taigo, përderisa BMW Seria 2 arriti të fitojë një yll më pak.
Në fakt, kupeja bavareze mbeti një hap më poshtë se konkurrenca për shkak të sistemit të tij autonom të frenimit, i cili shfaqte probleme gjatë përplasjes me çiklistët. Përndryshe, në segmentet tjera edhe BMW shfaqi një nivel të lartë të sigurisë.
Pesë yje për Meganin elektrik do të jenë shumë të dobishme për imazhin e Renaultit në treg, meqenëse vitin e kaluar ishte modeli elektrik Zoe ai që zhgënjeu në testim, ngase mori zero yje.
Ndryshe, që nga korriku i viti të kaluar Euro NCAP po prezanton kritere edhe më të rrepta të sigurisë, me theks të veçantë në sistemin autonom të frenimit. Organizata Evropiane e Sigurisë po ashtu thekson se “dhjetë vitet e ardhshme do të sjellin sfida të mëdha, duke marrë parasysh se vozitja e asistuar dhe ajo e automatizuar do të jenë në ballë të ndryshimeve që po vijnë”.