Reja flet pas humbjes turpëruese ndaj Anglisë

Reja flet pas humbjes turpëruese ndaj Anglisë

Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Edi Reja, ka deklaruar se ndaj Anglisë sot e kishte të pamundur kushdo që të bënte diçka. Në fjalët e tij për “SuperSport”, ai theksoi se ekipi nuk mund të bënte më shumë ndaj një ekipi dominues.

“Përqendrimi nuk ka të bëjë, ata u nisën shpejt, kur ke këtë fizik… Ne nuk i mbajtëm, për fat të keq janë më të fortë edhe në planin fizik. Kur gjen një Angli si kjo duhet të mundohesh të përmbash  kundërshtarin dhe të përmbysnim situatat, por nga pikëpamja fizike kishte një diferencë të madhe. Në pjesën e dytë u sistemuam e luajtëm me personalitet, por edhe ata u ndalën pak. E qarkulluan topin. Edhe unë bëra disa ndryshime duke hedhur lojtarë në planin fizik. Kishin dominim total në nisjet, se kur niseshin nuk i ndalnim kurrë, bëhej e vështirë të ndaleshin. Këta janë të fortë e kur nisen nuk ia del ti rrish mbrapa.

Unë dëshiroja të luaja ndeshjen me presing, por nuk mund të bëhej se kishin dominim fizik, u munduam t’i sulmonim lart, por kur niseshin nuk ia dilnim. Ndoshta po të riluhej do të mbyllesha në mbrojtje si në pjesën e dytë, por herët a vonë do të bënin gol. Mua më interesonte të shihja ekipin më lart, por fizikisht nuk ishim, janë shumë më të fortë, pavarësisht cilësive. Në këto nivele, për ne është e vështirë që t’i përmbajmë kundërshtarët, nuk ia dalim.

Kisha dy dëmtime, dhe ishte menjëherë s 2-0 dhe bëhet e vështirë të mbyllësh diçka, se kur i bën zëvendësimet pastaj mbetesh pa alternativa. Ishim pa fat edhe te dëmtimet. Imazhin nuk e prish se në Londër mund të humbësh sidomos me një skuadër si është kjo. Fizikisht ishin mirë, ishin të karikuar, si në pak ndeshje. Nuk i kisha parë në ndeshje të tjera në këtë grintë, ishin të fortë, nuk tërhiqeshin as në përplasje. Kur gjen një ekip kaq të karikuar, vë poshtë këdo, jo vetëm Shqipërinë por edhe ekipe më të forta se ne”, tha Reja.

Shpërndaje në: