Refuzimi që Kievi i bëri Steinmeierit është i gabuar
Shkruan: Rosalia Romaniec
Presidenti gjerman donte të udhëtonte në Kiev e të tregonte solidaritet me Ukrainën, por andej erdhi sinjali, se vizita e Steinmeierit ishte e padëshiruar. Një vendim i kuptueshëm, por i gabuar, mendon Rosalia Romaniec.
Kur Frank-Walter Steinmeier u nis të martën në Varshavë, opinioni publik nuk kishte informacione për një udhëtim tjetër që duhej të zhvillohej në sekret të plotë. Presidenti polak, Duda po përpiqej prej ditësh për një udhëtim të përbashkët në nivel të lartë: pesë presidentë europianë do të shkonin së bashku tek presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Por gjërat u zhvilluan ndryshe.
Kur Steinmeier në konferencën e shtypit me presidentin polak, Duda në mënyrë të papritur po i bënte bisht përgjigjeve të pyetjeve, u bë e qartë, se diçka nuk shkon. Pak më vonë doli lajmi nga gazeta më e madhe bulevardeske gjermane: “Zelensky i ndalon udhëtimin në Ukrainë presidentit federal Steinmeier!” Pak më vonë presidenti gjerman doli para kamerave.
I padëshiruar në Kiev
Kolegu dhe miku i tij, presidenti polak, Andrzej Duda kishte pasur idenë, që ata së bashku me presidentët e vendeve balltike të ndërmerrnin së bashku një udhëtim në Kiev, për të “dërguar e vendosur atje një shenjë të fortë të solidariteti me Ukrainën”, tha Steinmeier në një deklaratë të shkurtër. “Isha i gatshëm për këtë, por me sa duket, dhe më duhet ta regjistroj këtë, se kjo nuk ishte e dëshiruar në Kiev.” E paraqitur me gjuhë të qartë, por dukej, se presidenti ishte i prekur. Pikërisht ai që u angazhua prej vitesh për Ukrainën, duhet të pyesë veten, se si erdhi puna deri aty që të ndodhet para rrënojave të përpjekjeve të tij. Nuk pati shpjegim për arsyet e refuzimit, ka vetëm shumë spekulime. Por sado të gjitha këto arsye të jenë të drejta, nuk mund të zhbëjnë atë, që refuzimi që iu bë Steinmeierit ishte i gabuar.
Frustrimi është një këshilltar i keq
Po, për një kohë të shkurtër kjo i shërben Kievit si ventil për të shprehur zhgënjimin dhe dëshpërimin mbi Gjermaninë si edhe rolin e Steinmeierit në veçanti. Presidenti federal prej kohësh kishte marrëdhënie të ngushta me Moskën dhe nuk i mori seriozisht sa duhet paralajmërimet për kërcënimin rus ndaj Europës Lindore, e sidomos për Ukrainën. Steinmeier mbështeste gazsjellësit Nord Stream dhe në vitin 2008 si ministër i Jashtëm i kabinetit Merkel ishte pjesëtar i vetos gjermane ndaj anëtarësimit të NATO-s në Ukrainë. Lista e zhgënjimit të Kievit është e gjatë. Steinmeier vetë pranoi së fundmi gabime.
Me sa duket politikani gjerman i SPD-së ka dalluar shumë pak mes qëllimit të synuar dhe efektit të arritur. Kështu nuk ka pse të habitet askush, se pse harrohen angazhimi gjerman për Ukrainën si edhe ndihma e jashtëzakonshme financiare e viteve të fundit. Po, politikanët gjermanë vepruan në mënyrë naive dhe arrogante. Disa kanë nevojë për kthesën e tyre në politikën e jashtme – më shumë mirëkuptim për Lindjen e më pak për Rusinë. Por nuk mund të supozosh për qëllime jo të mira të Steinmeierit.
Zhgënjimi i së shkuarës u shumëfishua aktualisht me gabime të reja. Prej kohësh kancelari Scholz duhej të kishte udhëtuar në Kiev, furnizimet e vonuara me armë dhe bllokimi i sanksioneve u shtuan tek kjo listë. E nëse Scholzi nuk do të vijë e të ndihmojë, pse duhet të presë Zelensky kreun përfaqësues të Gjermanisë në një zonë lufte. Që presidenti i një vendi që lufton për mbijetesën ka nevojë për vendime dhe jo gjeste simbolike kjo dihet. Po ashtu ai do rol figuranti. Të gjitha këto rezerva janë të kuptueshme.
Efekt fatal
E megjithatë refuzimi i udhëtimit të Steinmeierit në plan afatshkurtër është me pasoja të mëdha politike, kurse me vështrim drejt së ardhmes është e papërgjegjshme. Nëse dikush vepron, se ka të drejtë, nuk do të thotë aspak që edhe bën gjënë e duhur. Duke e shpallur si ta padëshirueshëm Steinmeierin, qeveria ukrainase nuk arrin qëllimin e saj, sepse po prish urat. Në këto kushte as kancelari nuk do të udhëtojë në Kiev. Këtë ia ndalon atij respekti për postin më të lartë në vend. Pra mëngjesin e sotëm Ukraina zgjohet me një andrallë të madhe, edhe pse katër presidentët e tjerë do të shkojnë megjithatë për vizitë. Kjo bën vetëm të qartë krisjet brenda Europës, për të cilat askush nuk ka nevojë.
Trajtimi i ashpër që i bëri Zelensky presidentit gjerman rrezikon pa nevojë simpatinë e madhe për Ukrainën në Gjermani. E për këtë qeveria gjermane ka nevojë, nëse do të mbetet e fortë në politikën e brendshme dhe e stabilizuar për të ndihmuar edhe në të ardhmen. Një Gjermani e përçarë nuk ndihmon askënd. Apo? Dikujt e gjitha kjo i shkon për shtat. Despotit në Rusi, që përditë ka nevojë të ushqejë makinerinë e propagandës. Këtë herë për fat të keq Zelensky ia ofroi të gjitha.